E konfirmon Hekuran Murati: Punëtorëve të sektorit privat u dalin 100 euro këtë javë

Ministri i Financave, Hekuran Murati ka thënë se gjatë kësaj jave, pritet që të dalin pagesat prej 100 euro në llogaritë e përfituesve që janë validuar.

Murati përmes një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, ka thënë se komisioni ka validuar shumicën e përfituesve që plotësojnë kriteret, përcjell Demokracia.com.

“Për studentët ndërkaq, aplikimi është ende i hapur, dhe sapo të përmbyllet ky hap do të procedohet pagesa edhe për ta”, ka thënë ai.

Postimi i plotë:

Në mbledhjen e sotme të Qeverisë kemi ndarë 35 milionë euro buxhet, të cilat do të mundësojnë pagesën e mbështetjes së njëhershme prej 100 euro për të punësuarit e sektorit privat dhe për studentët.

Për të punësuarit, periudha e aplikimit ka përfunduar javën që shkoi, dhe komisioni deri më tani ka validuar shumicën e përfituesve që plotësojnë kriteret.

Tani kanë mbetur të përfundohen vetëm procedurat e nevojshme për ekzekutimin e pagesave, dhe përfituesit që janë validuar do t’i pranojnë paratë në llogaritë e tyre këtë javë.

Për studentët ndërkaq, aplikimi është ende i hapur, dhe sapo të përmbyllet ky hap do të procedohet pagesa edhe për ta./