E rikonfirmon ZRRE: S’ka rritje të çmimit të energjisë në veri

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka rikonfirmuar se vendimi për rritjen e tarifave të energjisë elektrike 16.1 për qind nuk do të përfshijë katër komunat veriore të vendit.

Në një përgjigje për Tëvë1 thuhet se konsumatorët në katër komunat veriore të Kosovës (Leposaviq, Zveçan, Zubin Potok dhe pjesë të Mitrovicës Veriore) nuk janë të përfshirë në këtë vendim tarifor, për shkak se ata furnizohen nga kompania Elektrosever.

“Elektrosever është furnizues i licencuar nga ZRRE për të operuar në atë pjesë të territorit, mirëpo nuk është Furnizues me Shërbim Universal dhe si rrjedhojë, ZRRE nuk përcakton tarifat përfundimtare për konsumatorët që furnizohen nga kjo kompani|”, thuhet në përgjigje.

Tutje, thuhet se ZRRE-ja përcakton tarifat për përdorimin e rrjeteve të transmetimit dhe shpërndarjes që janë të zbatueshme për të gjithë operatorët e licencuar, përfshirë edhe Elektrosever-in.

Megjithatë, sipas tyre tarifat që Elektrosever u aplikon konsumatorëve të saj janë në kompetencën e vetë kësaj kompanie dhe nuk përcaktohen nga ZRRE-ja.

“Ky operator është i obliguar të paguajë tarifat për shfrytëzimin e këtyre rrjeteve, sipas vendimeve të miratuara nga Bordi i ZRRE-së. Megjithatë, tarifat që Elektrosever u aplikon konsumatorëve të saj janë në kompetencën e vetë kësaj kompanie dhe nuk përcaktohen nga ZRRE-ja. Në këtë kontekst, theksojmë se diferencimi ne tarifa rrjedh nga dallimet në strukturën e furnizuesve dhe përgjegjësive që ata mbajnë sipas licencave të tyre përkatëse”, thuhet në përgjigje.