EBA dhe Egjipti kryejnë dërgesën më të madhe të ndihmave përmes ajrit në Gaza

Ministria e Mbrojtjes e Emirateve të Bashkuara Arabe njoftoi se kreu operacionin më të madh humanitar ajror në pjesën veriore të Rripit të Gazës, duke hedhur nga avionët gjithsej 90 tonë furnizime humanitare, transmeton Anadolu.

Ministria përmes një postimi në X tha se aksioni u krye si pjesë e operacionit “Zogjtë e Mirësisë” dhe ishte dërgesa e 16-të e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës nga ekuipazhet e përbashkëta të Forcave Ajrore të Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Forcave Ajrore Egjiptiane.

“Kjo është dërgesa më e madhe nga ajri, e kryer përmes 3 avionëve që transportonin 90 tonë ushqim dhe ndihma”, shtoi ministria.

Në njoftim gjithashtu thuhet se “operacioni i hedhjes u zhvillua mbi zona tampon në pjesën veriore të Gazës që janë të vështira për t’u arritur”.

Kjo dërgesë, sipas deklaratës, e çon totalin e ndihmave që nga nisja e operacionit në 664 ton ndihma ushqimore dhe ndihma tjera.

“Zogjtë e Mirësisë” vjen në kuadër të një operacioni i cili filloi më 5 nëntor 2023, bazuar në direktivat e presidentit të Emirateve të Bashkuara Arabe, Mohammed bin Zayed Al Nahyan.

Izraeli po kryen ofensivën ushtarake në Gaza që nga sulmi ndërkufitar nga grupi i rezistencës palestineze Hamas më 7 tetor, kur sipas Tel Avivit u vranë rreth 1.200 njerëz.

Që atëherë, mbi 32 mijë palestinezë janë vrarë dhe sulmet kanë shkaktuar një shkatërrim masiv, zhvendosje të palestinezëve dhe uri.

Sipas OKB-së, lufta izraelite gjithashtu ka shkaktuar zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet e gjenocidit dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.