Egjipti paralajmëron Etiopinë kundër hapave të njëanshme në lidhje me digën në lumin Nil

Egjipti e sheh projektin e digës GERD si një kërcënim ekzistencial për pjesën e tij të ujit nga Nili, burimi i vetëm i ujit të ëmbël në vend

Presidenti egjiptian Abdel Fattah al-Sisi, ka paralajmëruar për pasojat e hapave të njëanshme të Etiopisë në mosmarrëveshjen që zgjat me dekada në lidhje me një projekt të diskutueshëm të digës në lumin Nil, transmeton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë të përbashkët për media në Kajro me presidentin somalez, Hassan Sheikh Mohamud, al-Sisi tha se ishte dakord me homologun e tij somalez mbi peshën e hapave të njëanshme në dosjen e Digës së Rilindjes së Madhe Etiopiane (GERD).

“Bashkëpunimi ndërmjet vendeve ku rrjedh lumi është i rëndësishëm për të shmangur dëmet”, theksoi ai.

Al-Sisi tha se bisedimet e tij me presidentin somalez u koncentruan në zhvillimet rajonale në rajonin e Bririt të Afrikës.

“Ne u pajtuam të punojmë së bashku për të ruajtur sigurinë dhe stabilitetin në këtë rajon të rëndësishëm dhe strategjik”, shtoi ai.

Presidenti egjiptian tha se ai ra dakord me homologun e tij somalez për të intensifikuar koordinimin midis Egjiptit dhe Somalisë në lidhje me sigurinë në Detin e Kuq.

Presidenti somalez, Sheikh Mohamud, dje filloi një vizitë zyrtare në Egjipt, vizita e tij e shtatë jashtë shtetit që kur u bë president në maj.

Egjipti e sheh projektin e digës GERD si një kërcënim ekzistencial për pjesën e tij të ujit nga Nili, burimi i vetëm i ujit të ëmbël në vend. Egjipti dhe Sudani, dy vende në rrjedhën e poshtme të lumit, duan një marrëveshje ligjërisht të detyrueshme në lidhje me mbushjen dhe funksionimin e digës GERD, një kërkesë e kundërshtuar nga Etiopia.

Negociatat disavjeçare midis tre vendeve nuk kanë sjellë ndonjë përparim.

Vitin e kaluar, Këshilli i Sigurimit i OKB-së i bëri thirrje Egjiptit, Etiopisë dhe Sudanit që të rifillojnë negociatat e udhëhequra nga Unioni Afrikan për të arritur një marrëveshje për mbushjen dhe funksionimin e digës “brenda një afati të arsyeshëm kohor”.

Etiopia ka filluar të kryejë mbushjen e fazës së tretë të digës këtë muaj, pavarësisht kundërshtimit nga Egjipti dhe Sudani. /aa