Ballina Lajmet Kosovë Ekstradohet nga Franca për në Kosovë, i kërkuari me letër rreshtim ndërkombëtar

Ekstradohet nga Franca për në Kosovë, i kërkuari me letër rreshtim ndërkombëtar

Një shtetas i Kosovës, i kërkuar me letër-rreshtim ndërkombëtar, është ekstraduar nga Franca për në Kosovë më 2 prill, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Sipas njoftimit zyrtar, ekstradimi është realizuar nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor në koordinim me njësitë tjera relevante të Policisë së Kosovës dhe institucionet e drejtësisë.

I dyshuari ishte arrestuar më herët nga autoritetet zvicerane, pasi kërkohej përmes INTERPOL-it me urdhër të institucioneve të drejtësisë së Kosovës, nën dyshimin për veprën penale “vrasje në tentativë”.

Sipas autoriteteve, ai kishte qenë në arrati dhe i ishte shmangur drejtësisë.

Ekstradimi është realizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe në bashkëpunim të ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe atyre franceze.

Pas kthimit në Kosovë, i dyshuari i është dorëzuar njësive përkatëse të Policisë në rajonin e Pejës, ku pritet të vazhdojnë procedurat e mëtejshme ligjore.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore dhe ndërkombëtare për parandalimin dhe luftimin e kriminalitetit, si dhe për gjurmimin dhe arrestimin e personave të kërkuar brenda dhe jashtë vendit.