Ekzekutohen pagesat edhe për 2,230 lehona përfitues

Sot është ekzekutuar pagesa për 2,230 lehona përfituese që kanë aplikuar gjatë muajit tetor.

Kjo është bërë e ditur nga ministri i Financave, Hekuran Murati.

Murati ka deklaruar se nesër do të ekzekutohet pagesa e dytë edhe për lehonat që kanë aplikuar më herët, dhe tashmë janë në sistem.

“Gjithsej, mbi 4,400 përfituese. Njëkohësisht, është ekzekutuar edhe pagesa retroaktive për shtesat për fëmijë, për 809 përfituese që muajin e kaluar i kishin llogaritë bankare jo-valide”, tha ai.

Tutje ministri theksoi se këtë muaj ka pasur fluks të madh aplikimesh dhe se i mori më shumë kohë validimi e procedimi i pagesave .

“Mbi 90 mijë pagesa të procesuara gjithsej, pa llogaritur masat tjera të pakos. Andaj shpresojmë në mirëkuptim për këtë vonesë, të cilën shpresojmë ta evitojmë muajve në vijim”, theksoi ai.

Duhet përkujtuar që gjatë ditës së djeshme Ministria e Financave ka ekzekutuar pagesat për qytetarët që humbën vendin e punës në tre mujorin e parë të pandemisë COVID-19.

Kësisoj ata që dëshmuan se humbën vendin e punës arritën të marrin nga 150 euro për tre muaj radhazi.

“Sot është ekzekutuar pagesa për 5,740 të punësuar sipas masave 1.1, 1.2 dhe 1.3 të Pakos së Ringjalljes ekonomike.Subvencioni sipas masës 1.1 është 300 euro (3×100), ndërsa sipas masave 1.2 dhe 1.3 është 150 euro (3×50)”.