Autoritetet në Emiratet e Bashkuara Arabe kanë arrestuar 10 persona të kombësive të ndryshme pasi publikuan video në rrjete sociale që lidhen me situatën e sigurisë në vend.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Emirates News Agency, prokurori publik urdhëroi arrestimin e tyre për publikimin e videove reale dhe të rreme që pretendonin se tregonin vendin nën sulm.
Videot e shpërndara në rrjetet sociale përfshinin pamje të pretenduara të vendosjes së sistemeve të mbrojtjes ajrore nga Emiratet, si dhe pamje të tjera që pretendonin se tregonin goditje me “predha”. Disa prej tyre, sipas autoriteteve, ishin të manipuluara ose të krijuara me inteligjencë artificiale dhe paraqisnin shpërthime apo sulme të rreme ndaj objekteve të njohura.
Prokuroria deklaroi se publikimi i këtyre materialeve, qofshin reale apo të fabrikuara, krijon konfuzion në publik dhe mund të ndikojë në sigurinë publike, duke u dhënë gjithashtu hapësirë mediave armiqësore për të minuar besimin ndaj institucioneve shtetërore.
Personat e arrestuar përballen me një dënim minimal prej një viti burg dhe një gjobë prej 100 mijë dirhemësh (rreth 27 mijë dollarë), për shkak të mashtrimit të qëllimshëm, përhapjes së frikës dhe cenimit të paqes sociale. /mesazhi







