Erdogan: Autoritetet turke nuk do të tërhiqen përballë presionit dhe shantazhit – VIDEO

Presidenti Rexhep Tajip Erdoan (Recep Tayyip Erdoğan) mbërriti të premten në Ishullin Yassiada pranë Stambollit, ku mbajti një fjalim në programin e organizuar në Qendrën e Kongreseve “Adnan Menderes”, me rastin e 62-vjetorit të Grushtit të Shtetit të 27 Majit.

Politikanët që prodhojnë shërbime për vendin dhe popullin janë kërcënuar herë pas here nga puçistët,- tha Presidenti Erdoan dhe shtoi: “Së bashku me popullin tonë më 15 Korrik (2016, kur ndodhi tentativa e Organizatës Terroriste Fethullahiste-FETO për grusht shteti) ne shënuam një nga fitoret më të mëdha të demokracisë në historinë tonë”.

Për shkak të grushteve të shtetit, Turqisë i është dashur të paguajë çmime të vështira për t’u kompensuar në zhvillimin e saj ekonomik, por dëmtimin kryesor e pësoi sistemi i drejtësisë,- u shpreh udhëheqësi turk dhe e vijoi kështu fjalën e tij: “Askush nuk mund t’i vendosë zinxhirë vullnetit të çeliktë të popullit; askush nuk mund ta shkelë të drejtën e këtij populli. Askush nuk do t’u prekë as fijen e flokut atyre që i shërbejnë këtij populli. /…/ Kanë kaluar ato ditë kur politika ‘kalibrohej’ me kryeartikujt e gazetave; kur politika orientohej me anë të terrorit e shantazheve. Të gjithë duhet ta dinë se Turqia është një shtet ligjor demokratik. Është një shtet, ku sovraniteti i takon pa kushte popullit.”

Ai iu referua edhe luftës kundër terrorizmit dhe tha se lufta kundër terrorizmit vazhdon në veri të Irakut dhe në rajonin e operacionit “Burimi i Paqes” në veri të Sirisë, 30 kilometra në jug të kufijve të Turqisë, dhe se kjo luftë do të vazhdojë në të njëjtën mënyrë edhe në vijim. /trt