Erdoğan: Dyert dhe zemrat tona kanë qenë të hapura deri në fund për të shtypurit

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan tha se dyert dhe zemrat e tyre kanë qenë të hapura deri në fund për të shtypurit që kanë ardhur nga Spanja e deri në Afrikën Veriore, raporton Anadolu Agency (AA).

Erdoğan këto vlerësime i bëri gjatë fjalimit të tij në ceremoninë e hedhjes së gurthemelit të Kishës së Lashtë Ortodokse Siriane “Mor Efrem” në Stamboll.

“Dyert dhe zemrat tona kanë qenë të hapura deri në fund për të shtypurit që kanë ardhur në tokat tona nga Spanja e deri në Afrikën Veriore” u shpreh ai.

“Së fundmi rreth 4 milionë njerëz nga Siria dhe Iraku janë të mirëpritur në vendin tonë, në mesin e të cilëve gjenden vëllezërit tanë arabë, kurdë, turkmenë si dhe asirianë, jezidë dhe njerëz të grupeve të besimeve të ndryshme”, theksoi Erdoğan.

Ai tha se pavarësisht problemeve dhe shkatërrimit që dhimbjet në rajon kanë shkaktuar në 150 vitet e fundit, nuk është lejuar as tronditja më e vogël në vullnetin e bashkëjetesës.

“Në mendjet dhe zemrat tona nuk ka pasur dhe nuk do të ketë vend për diskriminim”, tha presidenti turk.