Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan tha se qeveria mund të ndërpresë gjendjen e jashtëzakonshme pas zgjedhjeve të këtij muaji, transmeton Anadolu Agency (AA).
Duke folur gjatë një transmetimi special të drejtpërdrejt në CNN Turk, Erdoğan tha se qeveria do të diskutojë çështjen dhe do të bëjë vlerësimet e nevojshme për të hequr gjendjen e jashtëzakonshme të vendosur pas tentativës vdekjeprurëse për grusht shteti më 15 korrik 2016.
“Gjendja e jashtëzakonshme mund të diskutohet dhe të hiqet pas zgjedhjeve”, theksoi Erdoğan.
Zgjedhjet e parakohshme presidenciale dhe parlamentare në Turqi do të mbahen më 24 qershor.
Më 18 prill të këtij viti, qeveria zgjati gjendjen e jashtëzakonshme për tre muaj për herë të shtatë.
Erdoğan tha se lufta kundër organizatës terroriste FETO vazhdon “me të njëjtin ritëm si natën e 15 korrikut 2016”.
Ndërkohë, duke folur për projektin e planifikuar për Kanalin e Stambollit të inicuar nga qeveria e partisë së tij (AK), Erdoğan e përshkroi atë si një “projekt strategjik”.
Ndërtimi i kanalit, një rrjedhë artificiale në nivel deti që do të lidhë Detin e Zi me Detin e Marmara, pritet të nisë më vonë këtë vit.
Kanali do të reduktojë trafikun e anijeve që kalojnë përmes ngushticës së Bosforit, duke mënjanuar rrezikun që anijet të përplasen me shtëpitë historike të në ngushticë, tha Erdoğan.
“Është një projekt strategjik. Nuk bëhet për kënaqësi. Ne gjithashtu do të përdorim dy anët e Kanalit të Stambollit si një zonë rezervë në rinovimin urban të Stambollit”, tha ai, duke shtuar se banesa të reja do të ndërtohen pranë kanalit.
Presidenti turk foli edhe në lidhje me luftën ndërkufitare të Turqisë kundër organizatës terroriste PKK, duke thënë se ushtria turke do të godasë kampet e PKK-së në Irakun verior nëse qeveria qendrore e Irakut nuk ndërmerr veprime kundër terroristëve.
Forcat turke do të sulmojnë Malin Kandil, Sinxharin dhe Mahmurin në Irakun verior, nëse Bagdadi zyrtar nuk është në gjendje të “pastrojë” ato zona nga grupi terrorist PKK, theksoi ai.
Sulmet ajrore mbi objektivat e PKK-së në Irakun e veriut, ku grupi terrorist ka bazën e vet kryesore në malin Kandil pranë kufirit iranian, janë kryer rregullisht që nga korriku i vitit 2015, kur PKK rifilloi fushatën e saj të armatosur.
PKK cilësohet si organizatë terroriste nga Turqia, SHBA dhe BE. Në fushatën terroriste kundër Turqisë, e cila ka zgjatur më shumë se tre dekada, janë vrarë mbi 40 mijë njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë.