Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka bërë të ditur se është nisur hetimi i nevojshëm për incidentin tragjik që përfshiu avionin që mbante delegacionin ushtarak libian, që “na trishtoi thellësisht”, raporton Anadolu.
Duke folur në një takim të Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim (AK) në Ankara, Erdogan shprehu ngushëllime për “popullin vëllazëror libian”, forcat e armatosura dhe qeverinë në emër të Turqisë dhe kombit turk pas vdekjes së shefit të ushtrisë dhe të tjerëve që ishin në bordin e avionit që u rrëzua dje.
Avioni i biznesit i tipit Falcon 50 u rrëzua pasi u ngrit nga aeroporti “Esenboga” i Ankarasë drejt Tripolit. Avioni u gjet rreth 2 kilometra në jug të fshatit Kesikkavak në qarkun Haymana të Ankarasë.
Operacionet e kërkimit vazhduan gjatë natës pavarësisht shiut dhe mjegullës dhe zyrtarët po monitorojnë përpjekjet nga një qendër koordinimi mobile, e ngritur nga Agjencia Turke e Menaxhimit të Fatkeqësive dhe Emergjencave (AFAD).




