Erdogan porosi Guterresit: OKB të reagojë urgjentisht në Mianmar

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdoğan ka zhvilluar sot një bisedë telefonike me Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB), Antonio Guterres me të cilin ka diskutuar zhvillimet në Mianmar, atje ku muslimanët në zonën e Arakanit u janë nënshtruar masakrave dhe përndjekjeve.

Sipas informacioneve të marra nga burimet e Presidencës mësohet se presidenti Erdoğan i tha Guterresit se OKB-ja duhet të reagojë urgjentisht ndaj krizës në Mianmar në mënyrë që e njëjta të mos përshkallëzohet akoma më shumë./Anadolu Agency/

Presidenti turk theksoi rëndësinë e bashkësisë ndërkombëtare në zgjidhjen e krizës në Mianmar, duke thënë se veprimi i komunitetit ndërkombëtar drejt vendim-marrjes është i një rëndësie jetike.

Ndër të tjera Erdoğan, ka tërhequr vëmendjen se është i papranueshëm përdorimi i forcës disproporcionale kundër civilëve dhe sulmet kundër muslimanëve të pafajshëm Rohingya nga forcat e sigurisë të cilët justifikohen me sulmet e ndodhura në natën e 25 gushtit në veri të rajonit Rakhine.

Më tej duke vënë theksin se duhet të ushtrohet një presion mbi qeverinë e Mianmarit duke përdorur të gjitha mekanizmat, presidenti Erdoğan, ka bërë të ditur se Turqia ka bërë atë që ka patur mundësi në çështjen e ndihmave humanitare dhe se është e gatshme të dërgojë edhe më shumë ndihma.

“Duhet të tregohen përpjekje intensive për një sens të përbashkët”

Më tej Erdoğan, ka cekur se krahas organizatave si Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, Organizata e Bashkëpunimit Islamik, Turqia nëpërmjet Ministrisë së Jashtme është në kontakt edhe me vendet e rajonit si SHBA-të, Malajzinë, Indonezinë, Tajlandën, dhe Bangladeshin.

Gjithashtu Erdoğan ka bërë thirrje për përpjekje intensive për të drejtuar qeverinë e Mianmarit në një sens të përbashkët.

Ndërsa Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Guterres i ka shprehur falënderimet presidentit Erdoğan për ndjeshmërinë e treguar si dhe e ka informuar rreth kontakteve që kanë kryer për ti dhënë fund krizës njerëzore e cila po pritet me një shqetësim në rajon.

Presidenti Erdoğan dhe Sekretari Guterres, u dakordësuan për të qëndruar në kontakt në lidhje me çështjen e përpjekjeve për të gjetur zgjidhje për krizën./Mesazhi/