Erdoğan poston video me “koleksionin presidencial të gërshërëve” të përdorura në përurime – VIDEO

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, me mesazhin “Shekulli i Turqisë”, postoi një video me temë “koleksionin presidencial të gërshërëve”, që përfshin gërshërët e përdorura në prerjen e shiritave gjatë përurimeve të objekteve, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në një postim nga llogaria e tij në median sociale, Erdoğan është shprehur: “Ne bëjmë politikë për të prodhuar vepra, për t’i shërbyer popullit tonë. Shpresojmë që rrugëtimin tonë të shërbimit ndaj popullit tonë ta çojmë në krye me Shekullin e Turqisë”.

Në filmin e dytë të serisë “Shekulli i Turqisë” të filluar nga Kryesia e Komunikimeve e presidencës me temën “Ëndrrat njëqindvjeçare, projektet shekullore”, paraqitet koleksioni më i madh në botë i gërshërëve të përdorura në përurimet e mbi 1.200 objekteve.

“Në 20 vitet e fundit kemi konsumuar shumë gërshërë. Në çdo rrugë të ndërtuar, në çdo fabrikë të hapur dhe në çdo spital të ngritur. Tani vazhdojmë ta zgjerojmë koleksionin më të madh në botë të gërshërëve. Me veprat që paraqesim dhe me shërbimet që zbatojmë”, thuhet në pamje.

“Politika e punës dhe shërbimit të presidentit Erdoğan do të thellohet edhe më tej në Shekullin e Turqisë”

Edhe kreu i Komunikimeve i presidencës turke, Fahrettin Altun, në një postim lidhur me videon tha: “Politika e punës dhe shërbimit të presidentit tonë Recep Tayyip Erdoğan do të thellohet edhe më tej në Shekullin e Turqisë, ku vendi ynë do të ketë arritje të reja dhe me lëvizje më të mëdha zhvillimore do të fitojë populli ynë, vendi ynë”.