Erdoğan priti në takim ministrin izraelit të Mbrojtjes, Gantz – VIDEO

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan, ka pritur në takim ministrin e Mbrojtjes të Izraelit, Benny Gantz, raporton Anadolu Agency (AA).

Takimi i organizuar në Kompleksin Presidencial u mbajt mbyllur për media.

Në takim mori pjesë edhe ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar.

Vizita vjen në vazhdën e përpjekjeve për të normalizuar marrëdhëniet e tensionuara mes dy vendeve, ndërsa zhvillimi i marrëdhënieve me Izraelin, sipas ministrit turk të mbrojtjes, do të ndihmojë në zgjidhjen e kontesteve.

Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, pas takimit në Ankara me homologun e tij izraelit, Benny Gantz, ka deklaruar se zhvillimi i marrëdhënieve midis Turqisë dhe Izraelit do të lehtësojnë gjetjen e zgjidhjeve për çështjet e kontestuara.

“Ne besojmë se rritja e bashkëpunimit dhe dialogut tonë dypalësh do të lehtësojë edhe zgjidhjen e disa çështjeve për të cilat kemi mosmarrëveshje, veçanërisht për Palestinën”, tha ministri Akar në konferencën e përbashkët për media me ministrin Gantz.

Vizita e ministrit izraelit në Turqi është e rëndësishme pasi është vizita e parë e një ministri izraelit të mbrojtjes në më shumë se një dekadë.

Ministri turk e përshkroi takimin “produktiv” dhe tha se të dy shkëmbyen mendime se çfarë mund të bëhet në drejtim të zhvillimit të mëtejshëm të stabilitetit, bashkëpunimit dhe sigurisë në rajon.

Po ashtu ministri izraelit i Mbrojtjes, Benny Gantz bëri homazhe në mauzoleun e Mustafa Kemal Ataturkut në Ankara, themeluesin e Republikës së Turqisë.

Duke kujtuar thënien e famshme të Ataturkut “Paqe në shtëpi, paqe në botë”, Gantz shkroi në librin përkujtimor në Anitkabir: “Shumë vite pasi Ataturku e ka thënë këtë fjalë të mençur, unë vendosa një shënim të vogël në Murin Perëndimor në Jerusalemit (Kudsit), duke u lutur për ‘Paqe për ne dhe paqe mes nesh për popullin e Izraelit – me kombet partnere dhe brenda kombit tonë”.

Gantz tha se është i nderuar të fillojë vizitën e tij historike në Turqi përpara përvjetorit të 99-të Ditës Kombëtare të Turqisë më 29 tetor.

“Në kujtim të tij, le të punojmë së bashku për të sjellë paqe dhe prosperitet në shtëpitë tona, në rajonet tona dhe në botë”, shtoi ministri izraelit i Mbrojtjes.

“Mustafa Kemal Ataturk në mënyrë famoze dëshiroi ‘paqe në shtëpi, paqe në botë’. Duke vizituar mauzoleun Anitkabir, shpreh nderimet e mia dhe shpreh angazhimin tim që të vazhdoj angazhimin për këtë kauzë fisnike”, shkroi Gantz në Twitter.

Turqia dhe Izraeli kanë ndërmarrë hapa për normalizimin e marrëdhënieve të tyre të tensionuara gjatë dy viteve të fundit, ndërsa në gusht, vendet ranë dakord të rivendosin lidhjet e plota diplomatike dhe të riemërojnë ambasadorët dhe konsujt e përgjithshëm pas një ndërprerjeje katër vjeçare.