Erdoğan: Qëllimi parësor i Turqisë është të ruajë sovranitetin, integritetin dhe unitetin politik të Libisë

Abdul Hamid Dbeibah and Erdogan

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdoğan, pas takimit në Ankara me kryeministrin e Unitetit Kombëtar të Libisë, Abdul Hamid Dbeibah, ka deklaruar se qëllimi parësor i Turqisë është të ruajë sovranitetin, integritetin dhe unitetin politik të Libisë, si dhe mirëqenien e popullit libian, raporton Anadolu Agency (AA).

 

“Mbështetja e Turqisë për Libinë ka parandaluar rënien e Tripolit dhe një gjakderdhje të re, si dhe ka mundësuar një armëpushim”, tha presidenti Erdoğan.

Zyrtarët turq dhe libianë nënshkruan pesë marrëveshje

Ai po ashtu theksoi se ata që në vend të drejtësisë dhe legjitimitetit mbështetën grushtin e shtetit në Libi, janë bashkëpunëtorë në gjakderdhje.

Më tej, presidenti turk tha se vendi i tij do të vazhdojë përpjekjet për Libinë ku do të mbizotërojë paqja, stabiliteti dhe prosperiteti.

“Marrëveshjet që ne nënshkruam me Libinë mbi fushën detare garantojnë stabilitetin e dy vendeve”, u shpreh Erdoğan.

Erdoğan po ashtu njoftoi se me kryeministrin e Libisë kanë rënë dakord në lidhje me ndërmarrjen e hapave më intensive drejt kthimit të sektorit privat turk në këtë vend.

Duke folur për pandeminë aktuale të koronavirusit të ri (COVID-19), presidenti turk njoftoi se vendi i tij nesër do t’i dërgojë Libisë 150 mijë doza të vaksinës kundër virusit COVID-19.

Nga ana tjetër, kryeministri libian, Dbeibah, theksoi së në takim ata pohuam rëndësinë e rolit të Turqisë në sigurimin e armëpushimit të qëndrueshëm në Libi.

“Ne shprehëm aspiratat tona për bashkëpunim me Turqinë në reformat e sigurisë dhe në luftën kundër terrorizmit”, tha Dbeibah.

Dbeibeh pohoi vlefshmërinë e kornizave që janë ndërtuar mbi marrëveshjet me Turqinë, veçanërisht ato detare.

Kryeministri libian po ashtu theksoi gatishmërinë për të bashkëpunuar me Turqinë në rindërtimin e vendit.

Dbeibah qëndron për vizitë zyrtare dyditore në Turqi. Ai shoqërohet nga një delegacion i lartë libian, i përbërë nga pesë zv/kryeministra dhe 14 ministra, si dhe shefin e Shtabit të Përgjithshëm, Muhamed Ali Ahmad al-Haddad. /aa