Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Erdogan: Samiti i NATO-s në Ankara vuri në pah rolin qendror të...

Erdogan: Samiti i NATO-s në Ankara vuri në pah rolin qendror të Turqisë në aleancë dhe sigurinë globale

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha të enjten se Samiti i NATO-s në Ankara theksoi rolin qendror të Turqisë në aleancë dhe në sigurinë globale, duke vënë në pah vendimet kryesore për forcimin e aftësive parandaluese të NATO-s, zgjerimin e bashkëpunimit në mbrojtje dhe konsolidimin e unitetit transatlantik, transmeton Anadolu.

Pas samitit dyditor, Erdogan tha se takimi u zhvillua në një kohë kur arkitektura globale e sigurisë po riformësohet nga rivaliteti mes fuqive të mëdha, kërcënimet hibride, konfliktet rajonale dhe teknologjitë e reja.

“Samiti dëshmoi edhe një herë rolin qendror të vendit tonë në arkitekturën globale të sigurisë, kapacitetin e tij diplomatik dhe përgjegjësinë si aleat”, shkroi ai në platformën amerikane X.

Ai tha se vizioni “NATO 3.0” synon të forcojë kapacitetet mbrojtëse të Evropës dhe ta përgatisë më mirë aleancën për sfidat e reja të sigurisë, duke shtuar se Turqia mbetet “një nga aktorët më të fuqishëm të NATO-s” falë aftësive të saj ushtarake, pozitës strategjike, përvojës diplomatike dhe industrisë së mbrojtjes.

– Bashkëpunimi në mbrojtje dhe transformimi i NATO-s

Erdogan tha se samiti nisi me Forumin e Industrisë së Mbrojtjes, ku aleatët diskutuan prodhimin e përbashkët, forcimin e zinxhirëve të furnizimit, koordinimin në teknologjitë e mbrojtjes dhe zgjerimin e bashkëpunimit mes vendeve anëtare të NATO-s.

Ai tha se liderët riafirmuan vendosmërinë për të forcuar aftësitë parandaluese dhe mbrojtëse të NATO-s, për të konsoliduar lidhjen transatlantike dhe për ta ndërtuar të ardhmen e aleancës mbi bazën e “një Evrope më të fortë dhe një NATO-je më të fortë”.

Sipas Erdoganit, Deklarata e Samitit të Ankarasë riafirmoi angazhimin e palëkundur të aleatëve ndaj Nenit 5 të Traktatit të Washingtonit dhe parimit të mbrojtjes kolektive.

Ai shtoi se deklarata i dha përparësi heqjes së pengesave në tregtinë e mbrojtjes mes aleatëve, më shumë se 50 miliardë dollarëve marrëveshje të reja për prokurime ushtarake, pajisje, ndihmë dhe trajnim për Ukrainën, si dhe zgjerimit të kapaciteteve të industrisë së mbrojtjes.

Ndër prioritetet e tjera, sipas tij, ishin zhvillimi i aftësive të NATO-s në inteligjencën artificiale, sigurinë kibernetike, hapësirën, mbrojtjen e integruar ajrore dhe raketore, sistemet pa pilot dhe teknologjitë e goditjeve precize me rreze të gjatë.

“Si Turqi, do të vazhdojmë të japim kontributin më të madh në këtë proces me përvojën tonë, aftësitë ushtarake dhe infrastrukturën në rritje të industrisë sonë të mbrojtjes”, tha ai.

– Diplomacia dypalëshe në margjinat e samitit

Erdogan tha se zhvilloi takime dypalëshe me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, presidentin amerikan Donald Trump, kryeministrin kanadez Mark Carney, presidentin finlandez Alexander Stubb, kryeministrin britanik Keir Starmer, kancelarin gjerman Friedrich Merz, kryeministren italiane Giorgia Meloni, presidentin francez Emmanuel Macron, kryeministrin bullgar Rumen Radev, presidentin sirian Ahmed al-Sharaa, presidentin e Këshillit Evropian Antonio Costa, presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, kryeministrin malazez Milojko Spajiq, presidentin sllovak Peter Pellegrini dhe kryeministrin shqiptar Edi Rama.

Sipas tij, në këto takime u diskutuan marrëdhëniet dypalëshe, marrëdhëniet Turqi-BE, bashkëpunimi në industrinë e mbrojtjes, tregtia, energjia, siguria, siguria euroatlantike, Platforma e Paqes për Ballkanin, lufta Rusi-Ukrainë, procesi Iran-SHBA, Gaza, Libia, Siria dhe stabiliteti rajonal.

Erdogan njoftoi gjithashtu se gjatë samitit, Turqia dhe Mbretëria e Bashkuar nënshkruan Marrëveshjen për Partneritet në Siguri dhe Mbrojtje, ndërsa nisën negociatat për një marrëveshje të tregtisë së lirë me Kanadanë.

Ai shprehu bindjen se takimi me Trumpin do të sjellë rezultate konkrete në përputhje me pritjet e Turqisë në sektorin e mbrojtjes, veçanërisht sa i përket avionit luftarak kombëtar KAAN dhe programit F-35.

– Angazhimet e Turqisë në mbrojtje

Erdogan tha se Turqia riafirmoi angazhimin për të rritur shpenzimet për mbrojtjen në 3,5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto deri para vitit 2030, ndërsa shpenzimet për sigurinë dhe qëndrueshmërinë tashmë kanë arritur në 1,5 për qind të buxhetit.

Ai njoftoi se Turqia ka ndarë edhe 24 miliardë dollarë shtesë për forcimin e kapaciteteve të mbrojtjes ajrore dhe raketore në kuadër të Projektit “Kupola e Çeliktë”.

Presidenti turk tha se vendi i tij do të vazhdojë të mbajë të hapura kanalet diplomatike për të nxitur paqen në luftën Rusi-Ukrainë, ndërsa mbështet vetëpërmbajtjen, diplomacinë dhe një proces të qëndrueshëm paqeje në bisedimet Iran-SHBA.

Ai shtoi se Ankaraja do të vazhdojë të mbështesë armëpushimet, stabilitetin dhe bashkëpunimin shumëpalësh në Gaza, Liban dhe Libi.

“Samiti intensiv dyditor në Ankara tregoi se Turqia është një aktor qendror në formësimin e agjendës së sigurisë së NATO-s, në mbajtjen të hapura të kanaleve të dialogut gjatë krizave, në ruajtjen e perspektivës së paqes rajonale dhe në dhënien e kontributit konkret në transformimin e aleancës përmes kapaciteteve të industrisë së saj të mbrojtjes”, tha Erdogan.

“Turqia do të vazhdojë të forcojë bashkëpunimin me aleatët e saj dhe të kontribuojë me vendosmëri për paqen dhe sigurinë globale”, shtoi ai.

– Samiti u përmbyll me sukses

Erdogan tha se Samiti i 36-të i NATO- u përmbyll me sukses, duke falënderuar pjesëmarrësit, organizatorët dhe banorët e kryeqytetit për kontributin e tyre në suksesin e aktivitetit.

“E përmbyllëm me sukses Samitin e 36-të të Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të NATO-s, të cilin e organizuam në Ankara, Turqi”, deklaroi ai.

Erdogan tha se samiti, i zhvilluar në Kompleksin Presidencial, mblodhi krerët e shteteve dhe qeverive të 32 vendeve anëtare të NATO-s, rreth 100 ministra, diplomatë të lartë, përfaqësues të organizatave ndërkombëtare dhe mysafirë.

Ai tha se autoritetet ruajtën “një ekuilibër delikat” mes garantimit të nivelit më të lartë të sigurisë dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive të qytetarëve gjatë gjithë samitit.

Sipas Erdoganit, masat e sigurisë, transportit, koordinimit dhe rendit publik u planifikuan me kujdes për të garantuar mbrojtjen e liderëve, për të ruajtur jetën e përditshme në qytet dhe për të siguruar që komuniteti ndërkombëtar të merrte informacion të saktë, duke minimizuar shqetësimet për banorët.

Presidenti tha se Biblioteka Kombëtare Presidenciale shërbeu si qendër mediatike ndërkombëtare, duke ofruar hapësirë pune për 1.800 persona, 40 dhoma montazhi dhe shumë pika transmetimi të drejtpërdrejtë.

Më shumë se 2.500 gazetarë mbuluan samitin, duke shënuar pjesëmarrje rekord të mediave, tha ai. Nën koordinimin e transmetuesit publik TRT, aktiviteti u transmetua në mbarë botën përmes 96 kamerave, 18 automjeteve të transmetimit të jashtëm dhe transmetimeve të drejtpërdrejta nga 26 lokacione.

Erdogan tha se samiti gjithashtu dha “një kontribut të rëndësishëm” në promovimin ndërkombëtar të Ankarasë.

“U shpreh falënderimet e mia të sinqerta bashkëqytetarëve të mi të Ankarasë për tolerancën dhe mikpritjen e tyre të veçantë që treguan gjatë gjithë samitit, i cili gjithashtu dha një kontribut të rëndësishëm në promovimin e kryeqytetit tonë”, tha ai.

Ai falënderoi gjithashtu të gjithë ata që kontribuuan në organizimin e aktivitetit, përfshirë forcat e rendit, punonjësit e mediave, ekipet teknike, stafin shëndetësor, punonjësit e transportit, zyrtarët e protokollit dhe shërbimet e furnizimit me ushqim.

“Në emër të vetes dhe të kombit tim, shpreh mirënjohjen time për të gjithë vëllezërit dhe motrat e mia që punuan me përkushtim për të siguruar zhvillimin pa probleme të samitit”, tha Erdogan.

Presidenti turk falënderoi gjithashtu Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Mark Rutte, për “qasjen e tij të orientuar drejt bashkëpunimit dhe përpjekjet në përgatitjen dhe organizimin e Samitit të NATO-s në Ankara”.