Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka bërë të ditur se është nënshkruar një memorandum strategjik mirëkuptimi për krijimin e qendrës së parë hiperskalë të platformës së të dhënave (cloud) në Turqi, raporton Anadolu.
Presidenti Erdogan foli në ceremoninë e ndarjes së çmimeve të vitit 2025 të Këshillit Turk të Kërkimit Shkencor dhe Teknologjik (TUBITAK) dhe Akademisë së Shkencave (TUBA) në Ankara.
“Me këtë projekt, i cili planifikohet të jetë operacional në vitet 2028-2029, Turqia do të krijojë një urë digjitale midis Evropës, Azisë dhe Lindjes së Mesme dhe vendi ynë do të bëhet qendra e të dhënave të rajonit të saj”, tha Erdogan.
“Ne duhet t’i ndjekim nga afër dhe t’i përvetësojmë plotësisht zhvillimet më të fundit në shkencë, si dhe ta ndërtojmë të ardhmen tonë përmes ideve dhe veprave që janë unike për identitetin tonë kombëtar”, shtoi ai.
Presidenti turk theksoi se nga inteligjenca artificiale te sistemet autonome, nga qendrat e ruajtjes dhe përpunimit të të dhënave te teknologjitë pa pilot, Turqia po ndërmerr iniciativa dhe projekte që shumë vende i shohin me admirim.
Erdogan gjithashtu përgëzoi akademikët që kanë prodhuar punime në një gamë të gjerë disiplinash, nga elektrokimia dhe mekanika e gjendjes së ngurtë te psikologjia eksperimentale, biologjia e ARN-së, stomatologjia, neurologjia, historia dhe filozofia.
Ai shtoi se fituesit e çmimeve vijnë nga universitete në të gjitha rajonet e vendit, duke e quajtur këtë një shenjë se institucionet në qytete të ndryshme po japin kontribute inovative në kapacitetin shkencor të Turqisë.



