Escobar: Kosova kishte të drejtë me reciprocitetin, KFOR s’i merr kompetencat e autoriteteve vendore

I dërguari Special i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar ka deklaruar se është sukses arritja e marrëveshjes për targat në Bruksel në mes Kosovës dhe Serbisë.

Në një konferencë për media, Escobar ka deklaruar se pas marrëveshjes dhe vendosjes në veri, KFOR nuk do t’i marrë kompetencat e organeve vendore të sigurisë.

Ky reagim i tij erdhi pasi në marrëveshjen e publikuar sot të arritur në Bruksel theksohet se të shtunën kur edhe do të bëhet largimi i barrikadave nga pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak do të largohen edhe Njësitë e Specializuara, meqë rast për dy javë pritet që në këto pika të vendoset KFOR-i.

“Kemi rrugë të gjatë përpara në dialog. I japim mbështetje Lajçakut dhe ekipit të tij për një zgjidhje konstruktive. Është e drejtë e qeverisë së Kosovës që zbatojë reciprocitetin. Roli i KFOR-it nuk është të marrë kompetencat e autoriteteve vendore por të sigurohet funksionimi i rregullt i pikave kufitare”, deklaroi ai.

Ndryshe Escobar ishte i dërguari i Amerikës në Bruksel gjatë ditës së djeshme dhe sot kur edhe u zhvilluan diskutimet në mes palës kosovare dhe asaj serbe me ndërmjetësim të Bashkimit Evropian lidhur me vendosjen e reciprocitetit nga Kosova drejt Serbisë sa i përket targave të automjeteve.

Ndryshe Përfaqësuesi Special i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajcak, ka njoftuar sot se pas dy ditësh diskutime është arritur marrëveshja në mes dy shteteve lidhur me vendosjen e targave në automjetet që hyjnë në Kosovë dhe anasjelltas.

Poashtu është theksuar se pas tërheqjes së Njësive të Specializuara të Kosovës nga veriu dhe largimit të barrikadave të vendosura nga serbët aty për rreth dy javë do të jetë i vendosur KFOR-i që të kujdeset për situatën.

Tri pikat e marrëveshjes së arritur sot në Bruksel:

Njësitë Speciale të Policisë të vendosura aktualisht në Jarinjë dhe Bërnjak do të largohen njëkohësisht me bllokadat duke filluar nga 2 tetori i vitit 2021 nga 08:00 e mëngjesit dhe do të përfundojë më së largu në ora 16:00. KFOR do të vendoset në Jarinjë dhe Bërnjak para fillimit të largimit të të dyja palëve dhe do të qëndrojë për rreth dy javë për të mbajtur një ambient të sigurt dhe lirinë lëvizjes.

Që nga 4 tetori 2021 në orën 08:00, do të hyjë në përdorim vendosja e stikersave do të bëhet sikurse u dakordua në kuadër të procesit të dialogut dhe do të aplikohet si masë e përkohshme deri në arritjen e një zgjidhjeje të përhershme.

Grupi punues u i përbërë nga përfaqësues të BE dhe nga palët e Beogradit dhe Prishtinës, dhe i drejtuar nga BE-ja do të formohet në mënyrë që të gjendet një zgjedhje e përhershme për targat në të lëshuara bazuar në standardet dhe praktikat e BE-së. Takimi i parë i Grupit Punues do të mbahet më 21 tetor 2021 në Bruksel. Brenda gjashtë muajve nga takimi i parë, Grupi Punues do t’i prezantojë të gjeturat e për zgjidhjen e përhershme në nivelin më të lartë të formatit të dialogut.