“Le të falin dhe të mos mbajnë urrejtje! A nuk dëshironi që Allahu t’ju falë juve? Allahu është Falës dhe Mëshirues.”
(En-Nur, 22)
Kur meditojmë mbi këto fjalë hyjnore, kuptojmë se sa thellë e trajton Kurani shërimin e brendshëm të njeriut. Ai nuk na mëson vetëm si të sillemi me të tjerët, por edhe si të çlirojmë veten nga plagët që shkaktojnë zemërimi, urrejtja dhe mëritë.
Falja nuk është nënshtrim ndaj atij që të ka bërë padrejtësi, as justifikim i sjelljes së tij. Ajo është një vendim i vetëdijshëm për të mos lejuar që zemërimi të të robërojë shpirtin dhe e kaluara të të marrë paqen e së tashmes.
Pikërisht këtu psikologjia moderne takohet me udhëzimin hyjnor, përmes disa mekanizmave që ndihmojnë në mbrojtjen dhe përmirësimin e cilësisë së jetës:
▫️ Sublimimi (Sublimation): Shndërrimi i emocioneve negative në energji pozitive dhe të dobishme për veten.
▫️ Përshtatja emocionale: Rregullimi i reagimeve të brendshme emocionale dhe mbrojtja e sistemit nervor nga efektet e hormoneve të stresit, siç është kortizoli.
▫️ Ndërprerja e përtypjes mendore (Rumination): Çlirimi nga mendimet e përsëritura dhe obsesive rreth padrejtësive që të janë bërë, për të shmangur ankthin kronik.
Kur fal, aktivizohen mekanizma në tru që lidhen me çlirimin e substancave neurokimike, si dopamina dhe oksitocina, të cilat ndërlidhen me mirëqenien dhe ndjenjën e kënaqësisë. Kjo ndihmon në forcimin e qëndrueshmërisë psikologjike dhe mund të sjellë përfitime edhe në shëndetin fizik, duke ndikuar në uljen e tensionit të gjakut, mbrojtjen e zemrës dhe përmirësimin e cilësisë së gjumit. Pra, falja ndikon si në shëndetin psikologjik, ashtu edhe në atë fizik.
Megjithatë, falja nuk do të thotë të harrosh gjithçka, të heqësh dorë nga drejtësia apo t’i lejosh dikujt të të lëndojë përsëri. Mund të falësh dhe njëkohësisht të vendosësh kufij të shëndetshëm.
Sepse falja nuk ia heq vlerën drejtësisë, por ia heq zemrës barrën e urrejtjes.
Dr. Mai Bader
Specialiste dhe konsulente në fushën e sëmundjeve të trurit dhe sistemit nervor te fëmijët, epilepsisë dhe çrregullimit të spektrit të autizmit.
Hoxhë Halil Avdulli








