Mediat izraelite raportojnë se faza e dytë e marrëveshjes së armëpushimit në Gaza pritet të fillojë në fillim të vitit të ri. Kanali izraelit Channel 13 tha se Uashingtoni ka informuar Izraelin dhe ndërmjetësit rajonalë se faza e ardhshme e marrëveshjes do të nisë në fillim të janarit.
Sipas Channel 13, një zyrtar i lartë izraelit, i cili foli në kushte anonimiteti, deklaroi se i dërguari special amerikan Steve Witkoff u ka bërë të ditur palëve se faza e dytë e marrëveshjes së Gazës do të hyjë së shpejti në fuqi.
Mediat shtojnë se zyrtarë izraelitë shprehin shqetësim se presidenti amerikan Donald Trump mund të shtyjë përpara fazën e dytë pa përmbushjen e kërkesës për çarmatosjen e Gazës.
Izraeli dhe lëvizja palestineze Hamas ranë dakord për një armëpushim me dy faza më 9 tetor, përmes ndërmjetësimit të Egjiptit, Katarit dhe Türkiyes, nën sponsorizimin e SHBA-së. Megjithatë, Ministria e Shëndetësisë në Gaza njofton se që nga hyrja në fuqi e armëpushimit, më shumë se 400 palestinezë janë vrarë për shkak të shkeljeve izraelite dhe vonesave në kalimin në fazën e dytë.
Që nga tetori 2023, lufta izraelite në Gaza ka shkaktuar mbi 71 mijë të vrarë dhe më shumë se 171 mijë të plagosur, shumica gra dhe fëmijë. /mesazhi








