Kur Profeti Muhamed (a.s.) themeloi tregun në Medine sipas parimeve të sistemit islam të drejtësisë ekonomike, ai nuk përdori as tabela, as slogane për të identifikuar tregun si “hallall” apo “islamik”.
Në fakt, sipas transmetimit nga Ibn Sheibah në veprën e tij historike Tārīkh al-Madīna, Profeti (a.s.) tha: “Ky është tregu juaj. Askush nuk ka të drejtë të kufizojë veprimtarinë tregtare këtu dhe as të vendosë monopole.”) ( Ibn Sheibah, Tārīkh al-Madīna, vëll. 1, fq. 489.)
Ky treg u themelua përballë tregut hebraik, i cili në atë kohë dominohej nga fiset e pasura hebraike si Banū Kajnuka‘. Megjithatë, Profeti (a.s.) nuk promovoi tregun e ri përmes emërtimesh fetare apo simbole të jashtme, por përmes rregullimit të drejtë të marrëdhënieve ekonomike: ndalim i spekulimeve, heqje e taksave shtypëse dhe barazi mes pjesëmarrësve.
Sipas Prof. Ismail Faruku dhe autorëve të tjerë bashkëkohorë: “Profeti krijoi një treg të lirë ku nuk lejoheshin as taksat, as rezervimi i hapësirave. Ai nuk vendosi emër të veçantë për këtë treg, dhe as nuk e quajti ‘islamik’, sepse vetë drejtësia dhe morali ishin përmbajtja e tij.” ( Ismail al-Faruk, Islamic Economic System, International Institute of Islamic Thought, 1992, fq. 45.)
——
Sepse feja nuk është parrullë, tabelë apo slogan. Nuk është as tifozeri, e as militantizëm. Islami na mëson se besimi është bindje e qëndrueshme, qartësi në mendje dhe veprim i drejtë e i përgjegjshëm. Besimi i vërtetë edukon për përpjekje serioze, tregti të ndershme dhe cilësi në punë e produkt. Të jesh fetar do të thotë të jesh i ndershëm në sjellje, i drejtë në marrëdhënie dhe i sinqertë në punë.
Hoxhë: Vladimir Kera









