Ballina Artikuj “Fëmijët tanë në rrezik nga shkollat”

“Fëmijët tanë në rrezik nga shkollat”

Prof.Dr. Rrahman Ferizi

Jemi mësuar të dëgjojmë se fëmijët janë sot në rrezik:
nga qentë endacakë,
nga makinat që voziten pa kontroll,
nga akulli dhe vërshimet,
nga çantat e stërngarkuara (që po u shkaktojnë spondilozë dhe shtrembërim të unazave kurrizore),
nga planprogramet e mbingarkuara (ku futen lëndë dhe lektura për të plotësuar interesa tenderësh të drejtorive komunale dhe të mësimdhënësve që i paguajnë këto tenderë për t’i futur librat e tyre në planprogramet e Ministrisë).
Mirëpo, të themi se “fëmijët janë sot në rrezik nga vetë nxënësit në shkolla” — si kuptohet kjo?
Po flas jo vetëm me kompetencë si mësimdhënës, por edhe me zemër si prind. Ngado që më bie të vizitoj shkollat fillore dhe të mesme, më duhet t’i mbyll sytë dhe veshët, ose të mos i besoj asaj që shoh e dëgjoj.
Pjesa dërrmuese e nxënësve, pa dallim moshe dhe gjinie:
kanë fjalor të pistë, vulgar, bullizues, linçues dhe pervers;
shfaqin sjellje banale, ecje somnambule (me telefona të mençur në dorë) dhe veprime amorale, të pakontrolluara;
përdorin duhan apo edhe lloje të ndryshme substancash në ato “kuti elektronike”. Këtë e bëjnë në oborrin e shkollës, në rrugë, në autobus — nuk e di saktësisht nëse kjo ndodh edhe në shtëpitë e tyre.
I brengosur deri në shpirt, pyes veten:
Ku jemi si shkollë dhe si institucione edukative-arsimore?
Ku jemi si shtet, që nuk kontrollon çfarë shitet në kioskat afër shkollave dhe çfarë përdoret në oborret dhe rrethinat e tyre?
Ku jemi si shtëpi dhe si familje, që fatin e së ardhmes sonë e kemi lënë në dorë të drogës, të rrugës, të telefonave të mençur dhe të televizorit, ndërsa vetë arsyetohemi se jemi të zënë duke punuar e duke fituar?
Çfarë fitimi është ky?
Po i dërgojmë fëmijët në shkollë me plis, e po kthehen me shapka (shishe).
Pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë, kishte brengë te gjyshërit për fëmijët e tyre, që po “edukoheshin” nga komunizmi. Ata u thoshin: “Bijtë tanë të dashur, kujdes ku po shkoni dhe ku po edukoheni, se po shkoni me plis e po ktheheni me shapka.”
Dilema hamletiane sot shtrohet kështu:
Si po shkojnë fëmijët tanë në shkollë (a kanë edukim familjar?)
dhe si po kthehen nga shkolla (a po e zvogëlon apo po e shton ambienti shkollor ndikimin social pozitiv, apo përkundrazi, po e thellon degjenerimin)?
Kjo është një pyetje që kërkon përgjigje individuale dhe institucionale.
Për kë, atëherë, duhet të ndizet alarmi?

Prof.Dr. Rrahman Ferizi