Fermani perandorak i Sulltan Mehmet-it II, i lëshuar në vitin 883 hixhri, periudha e Mesjetës së Vonë (1478–1479), përfaqëson një nga aktet më të rëndësishme për mbrojtjen e drejtpërdrejtë të një komuniteti fetar në Ballkan. Në këtë dokument, sulltani u garanton Françeskanëve të Bosnjës jo vetëm sigurinë fizike dhe pronën, por edhe lirinë e plotë të besimit dhe veprimtarisë së tyre fetare. Fermani deklaron qartazi se askush – as administrata shtetërore dhe as popullsia vendase – nuk mund dhe nuk ka të drejtë t’i shqetësojë apo sulmojë ata, kishat e tyre, apo të ardhurit që bashkohen me ta. Nëpërmjet një betimi solemn që përmend Zotin, Kur’anin, Profetin dhe nderin e tij, Sulltan Mehmeti garanton se ky premtim është i patjetërsueshëm për sa kohë Françeskanët i qëndrojnë besnik ligjit dhe rendit shtetëror. Ky ferman, i cili shërbeu si një ndër dokumentet më të hershme të tolerancës fetare në rajon, i dha jetë komunitetit françeskan, duke u mundësuar atyre të mbijetojnë, të veprojnë dhe të zhvillohen në një hapësirë ku liria e tyre ishte shpesh e rrezikuar. Dihen tashmë përplasjet me grupet e tjera të krishtera, qofshin ato të kishës sllavo-ortodokse, si dhe të urdhërave të tjerë kishtarë perëndimorë. Në thelb, ai u bë një garanci për jetën, besimin dhe qëndrueshmërinë e një tradite fetare brenda Perandorisë Osmane.
Garantimi i françeskanëve në Perandorinë Osmane
Transkripti dhe përkthimi i fermanit të Sulltan Mehmetit II, dhënë murgjëve françeskan në Bosnje.[1]
| “Nişân-ı hümâyûn oldur ki, Ben ki Sultan Mehmed Han’ım; cümle havâss u avâma ma’lûm ola ki, İş bu dârendegân-ı fermân-ı hümâyûn Bosna rahiplerine mezid-i inayetim zuhûra gelüp buyurdum ki:Mezbûrlara ve kilisalarına kimesne mâni’u müzâhim olmayub, ihtiyâtsız memleketimde duranlara ve kaçup gidenlere emn-ü amân ola ki gelüp bizim hâssa memleketimize havfsız sâkin olup kilisalarında mütemekkin olalar ve yüce hazretimden ve vezirlerimden ve re’âyalarımdan ve memleketim halkından kimesne, mezbûrlara dahl-ü ta’arruz etmeyüp incitmeyeler. Kendülerine ve cânlarına ve mâllarına ve kilisalarına ve dâhi yabandan hâssa memleketimize âdem getürirler ise yemîn-i mugallaza iderim ki, yeri göğü yaradan Perverdigâr Allah’ın hakkı içün ve ulu Peygamberimiz Muhammed Mustafa sallallâhu te’âla aleyhi ve sel-lem hak-kı içün ve yedi Mus-haf hakkı içün ve yüzyirmidört bin peygamberler hakkı içün ve kuşandığım kılıç içün bu yazılanlara bir ferd muhâlefet eylemeye, mâdâm ki benim hidmetime ve emrime mutî’ olalar”. | Ky është nishani perandorak (fermani), Unë jam Sulltan Mehmet Khan; le të dihet nga të gjithë njerëzit e zakonshëm dhe të shquar, se unë i kam dhënë një përkujdes të madh klerit boshnjak [Françeskan] që mbajnë në dorë fermanin e tim sulltanor dhe kam thënë:Askush nuk do t’i pengojë apo shqetësojë të lartpërmendurit dhe kishën e tyre dhe ata do të jetojnë në vendin tim pa hezitim. Edhe ata që ikin do të jenë të sigurt. Edhe ata që do të vijnë, do të vendosen pa frikë në vendin tonë dhe do të vendosen në kishat e tyre. As unë, as vezirët e mi, as nënshtetasit e mi, as ndonjë nga të gjithë njerëzit e vendit tim nuk do t’i prekim, sulmojmë ose lëndojmë të lartpërmendurit.Ata, jetën e tyre, pasurinë e tyre, kishat e tyre dhe ata që vijnë në vendin tonë nga jashtë. Betohem në emrin e Furnizuesit që krijoi qiejt dhe tokën, në emrin e Kur’anit dhe të Pejgamberit tonë madhështor, në emrin e njëqind e njëzet e katër mijë profetëve dhe në shpatën që kam në dorë, se përderisa këta njerëz i binden urdhrit tim dhe asaj që është shkruar, askush nuk do t’i shqetësojë. |
| Tahrîren fî 28 şehr-i / Gurre-i Muharremü’l-Harâm sene 883 Be yurd-ı Kal’a-i Drac. | U regjistrua në 28 të muajit të shenjtë Muharrem, vitit 883. |
Të drejtat që buronin nga ky ferman:
- Askush nuk do t’i shqetësojë ata: (liria individuale).
- E drejta për të vazhduar aktivitetet në kishat dhe manastiret e tyre si më parë: (liria e komunitetit).
- E drejta e të krishterëve për ta jetuar lirshëm fenë e tyre dhe për të kryer ritualet fetare: (liria fetare).
- E drejta e qëndrimit dhe e lëvizjes së lirë, pra nuk ka detyrim për të jetuar në ndonjë zonë të caktuar, mund të vendosen kudo që duan dhe të udhëtojnë ku të dëshirojnë: (liria e banimit dhe e udhëtimit).
- Siguria e jetës dhe e pasurisë së tyre do të garantohet (e drejta e pasurisë).
- U lejohet të ftojnë njerëz të tjerë në besimin e tyre, pra të zhvillojnë aktivitete misionare: (liria e shprehjes dhe e përhapjes së besimit).
- E vetmja gjë që kërkohet prej tyre është besnikëria dhe mos-organizimi i kryengritjeve apo pjesëmarrja në lëvizje të tilla kundër shtetit.
Njohja e këtyre të drejtave, përbën shumë më tepër sesa privilegjet papnore që priftërinjtë françeskanë kishin marrë. Ndoshta për këtë arsye, në periudhat e mëvonshme, priftërinjtë françeskanë do të kenë marrëdhënie të ngrohta me administratën osmane, çka ngjalli shqetësim tek shumë grupe dhe individë.
Gjatë sundimit osman në trojet shqiptare, u lëshuan një numër i madh fermanesh që garantonin të drejtat dhe mbrojtjen e komuniteteve të krishtera, si katolik ashtu edhe ortodoks. Këto dokumente përfaqësonin qartazi një formë të tolerancës fetare, duke siguruar lirinë e besimit, lirinë e veprimtarisë kishtare dhe të drejtën e pronësisë për kishat dhe manastiret. Përmes tyre, sulltanët osmanë, u garantonin klerikëve dhe besimtarëve të krishterë sigurinë e jetës dhe të pasurisë. Këto fermane nuk ishin vetëm instrumente administrative, por edhe një garanci e qëndrueshmërisë së traditave fetare dhe lidhjes së ngushtë të komuniteteve të krishtera me strukturat shtetërore osmane, duke krijuar një hapësirë ku bashkëjetesa fetare dhe stabiliteti social mund të zhvilloheshin pa shqetësime, gjë që e trashëgojmë edhe sot. Në aspektin kohor, ekzistojnë të dhëna që dëshmojnë një shtrirje thuajse 600-vjeçare të tyre. Për nga hapësira gjeografike, ata sjellin të dhëna për historinë e mbi 20 shteteve të pavarura, të cilët u formuan pas shkatërrimit të Perandorisë Osmane.[2]
Ndër këta fermane mund të përmendim disa, si: Fermani i vitit 1736, I cili urdhëron mosndërhyrjet në ullishtë pas ankimit që ka bërë një i krishterë me emrin Naum. Fermani i vitit 1712, mbi të drejtat e zotërimit të pronave të priftërinjëve të Delvinës. Fermani i vitit 1680, ku sulltani ndalon spahinjtë që të mbledhin taksa arbitrare ndaj priftërinjëve të kishës së Delvinës për pronat kishtare. Fermani i vitit 1678, nxjerrë nga sixhilet e Beratit, për lejimin e një patriku për vjeljen e taksave të ndryshme të klerit. Ferman i nxjerrë nga sixhilet e Beratit për taksat që duhet të paguajnë të krishterët e Vlorës, Beratit, Ohrit, etj për llogari të Patriarkanës, viti 1681.[3] Gjithashtu, një ferman i Sulltan Mustafait dërguar kadiut të Delvinës në vitin 1699: “Zoti ua shtoftë nderën, porsa të ju mbërrijë ky ferman në dorë, të merrni dijeni se priftërinjt e kishës së atij vendi i janë drejtuar Fronit të Madhërisë Sime dhe janë ankuar se ndër toka të kishës, që i kanë zotëruar që para osmamnëve dhe që i kanë pagura të dhjetat e tyre, iu ndërhyjnë disa vojvodë të Kamenicës, duke iu thënë se ne jemi vojvodë dhe kemi të drejta mbi ato toka, dhe më janë lutur që ti ndaloj ndërhyrjet e tyre. Unë ju urdhëroj, pasi ta merrni këtë ferman në dorë dhe hyxhetet (dokumentet) se kush i ka zotëruar këto toka kadimi (prej kohëve të vjetra), dhe nëse provohet e drejta e priftërinjëve mbi ato toka, urdhëroheni ti ndaloni ndërhyrjet arbitrare që bëjnë vojvodët në fjalë në pasuri të kishës. Unë kështu ju urdhëroj dhe kështu të bëhet”.[4]
Raportet e Françeskanëve me Perandorinë Osmane
Urdhëri i françeskanëve, i cili kishte natyrë misionare dhe fokus teologjik, është krijuar më 1209 nga Fransis D’Assizi në Umbria të Italisë. Urdhëri u ngarkua nga Papa Inoçenti III me detyrën e predikimit anëkend botës dhe me pranimin e rrëfimit. Më vonë atyre iu besua edhe shpërndarja e indulgjencave.[5] Kontaktet e tyre me botën islame janë që në fillesat e këtij urdhëri, vetë Françesku në vitin 1219 bëri pelegrinazh në Tokën e Shenjtë, ku edhe u mirëprit në oborrin e sulltanit Ejjubit.[6] Gjatë kthimit të tij nga Toka e Shenjtë, mendohet se ka kaluar edhe nëpër trojet tona. Urdhri Françeskan në trojet tona mendohet se e ka zanafillën qysh më 1240, me ndërtimin e kuvendit të Shën Mërisë në Lezhë. Ndërsa në Shkodër kuvendi i parë françeskan ndërtohet më 1288.[7] Duam apo s’duam ne, françeskanët janë ndoshta i vetmi urdhër i krishterë që kanë marrë garancinë e dy sulltanëve të mëdhenj. I pari është sulltani Ejubit, el-Kamil, me të cilin është takuar edhe vetë Shën Françesku në Dimjat të Egjiptit më 1219, ndërsa i dyti është sulltani osman Mehmet Fatihu, i cili me fermanin e tij i’u dha garanci françekanëve të Bosnjës.[8]
Pas dhënies fund kryqëzatave dhe sundimit latin në Palestinë dhe Levant, nga ana e Memlukëve, françeskanët krijuan raporte të mira me ta. Në vitin 1291 urdhri françeskan themelon misionin “Franciscan Custodia Terrae Sanctae” ndërsa në Bejrut hapin një azil. Qëllimi i tyre kryesor ishte që të katolicizonin sektin “Maronit” në malësitë e Libanit.[9] Gjatë gjithë kohës së sundimit të Memlukëve në rajon, françeskanët patën rolin e ndërmjetësit të maronitëve dhe Vatikanit. Françeskanët krijuan raporte edhe me Mongolët dhe themeluan misionet e tyre në territoret e pushtuara nga ata. Priftërinjtë françeskanë dhe domenikanë pasi kryen misionin e tyre kundër albigenëve dhe grupeve heretike në Evropën Lindore, u hodhën me misionet e tyre në Azi që në gjysmën e dytë të shek. XIII. Ky proces filloi me një mision diplomatik në vitin 1240, teksa françeskanët nga frika e sulmit që Mongolët mund ti bënin Evropës, synonin që të bënin një aleancë me mongolët kundër muslimanëve.
Fillimisht misioni françeskan u mor me popullsitë autoktone të krishtera në rajon, siç ishin nestorianët dhe monofizitët. Më vonë ata nisën veprimtarinë e tyre edhe ndaj prijësave mongol dhe popullsisë në përgjithësi. Françeskanët u morën gjithashtu edhe me përfshirjen e ortodoksve autoktonë në kishën katolike të Romës. Gjatë kësaj kohe, misioni i tyre ishte shumë-dimensional, sa diplomatik aq edhe fetar, sidomos ndaj ortodoksve dhe muslimanëve, duke qenë se rezistenca më e madhe vinte nga këta të fundit.[10] Që nga viti 1464, kur Mehmet Fatihu i mori në mbrojtje murgjit françeskan të Bosnjes, ata kanë pasur peshkopët (vikarin) e tyre në mënyrë kronologjike deri në vitin 1853, kohë kur Bosnja pushtohet nga ushtritë Austro-Hungareze.[11] Urdhër tjetër i rëndësishëm që shfaqet në vendin tonë në shek. XIII, është ai i Dominikanëve. Ata u themeluan në Kastilie dhe Papa u besoi inkiuzicionin.[12] Shkak i ardhjes së tyre në rajonin tonë ishin problemet që kishte kisha katolike me skizmatikët. Si pasojë e këtyre problemeve, rreth vitit 1250 papa Inocens IV dërgoi në provincat kishtare të Pultit, Arbërit dhe Kunavisë domenikanë hungarezë, të cilët kishin për detyrë forcimin e ritit Katolik në këto rajone. Përveç skizmatikëve, Domenikanët ishin aktiv edhe kundër heretikëve, siç i quanin ata, sidomos ndaj bogomilëvë të cilët ishin të përhapur shumë në këto rajone.[13] Ngaqë kishin ngjashmëri organizative, urdhëri Dominikan ishte në rivalitet me Françeskanët,[14]
Pas përfshirjes së territoreve shqiptare në Perandorinë Osmane filloi ringritja e kishave katolike. Kështu, në vitin 1585 u ringritën 5 kuvende: ai i Laçit (Sebaste), i Lezhës, Rubikut, Mamlit e Bisht-Muzhlit (Kepi i Rodonit). Mbas disa vitesh, në vitin 1592, u ringritën edhe katër kuvende të tjera në Vel, Mirditë (Orosh), Qafë Krrabë dhe Kurbin. Në vitin 1610, prifti franceskan Marin Bici, do të raportonte në relacionin e tij që do t’i paraqiste Papa Pali V se në Shqipëri kanë 11 kuvende.[15] Duhet përmendur se rol kryesor për gjallërimin e krishtërimit dhe të kishave në rajonin e Mirditës dhe krejt Shqipërinë e veriut ka pasur urdhri Françeskan, të cilët gjatë sundimit osman kanë pasur një status të veçantë sigurie, që buron që nga koha e sulltan Mehmetit II. Garancia që u dha Sulltan Mehmeti françeskanëve të Bosnjës, bëri që katolikët shqiptaro-verior dhe sidomos klerikët të lidheshin ngushtë me bashkësinë katolike të Bosnjës. Si te katolikët e Bosnjës, ashtu edhe te ata shqiptarë, urdhëri Françeskan pati një rol të dorës së parë në përkujdesjen ndaj besimtarëve, por edhe për kujdesin ndaj një vetëdije historike konfesionale. Ata morën në dorë botimin e librave shqip me alfabet latin, gjithashtu nuk duhet të harrojmë se deri vonë klerikët më të famshëm katolik ishin produkt i kolegjeve françeskane boshnjake, ndër ta Gjergj Fishta dhe Ndre Mjeda, të cilët aty kultivuan nacionalizmin e tyre të fortë antiortodoks.[16]
Në dritën e burimeve historike dhe tërësisë së fermanëve të lëshuar gjatë sundimit osman, bëhet e qartë se Perandoria Osmane zbatonte një model juridik dhe administrativ që synonte garantimin e lirisë fetare për komunitetet jomyslimane. Sistemi i miletit, së bashku me fermanët mbrojtës për dioqezat, urdhrat kishtare dhe institucionet fetare, dëshmon se autoriteti osman e njihte dhe e institucionalizonte autonominë e besimit, të drejtën e pronës dhe organizimin e brendshëm kishtar. Këto akte nuk kishin vetëm funksione administrative, por përbënin një mekanizëm për të siguruar stabilitet shoqëror, harmoni ndërfetare dhe bashkëjetesë në një hapësirë të gjerë shumëetnike. Rasti i françeskanëve në Bosnjë e Shqipëri, të mbrojtur me ferman që nga koha e Mehmetit II, ilustron qartë këtë praktikë të tolerancës së sanksionuar shtetërore. Në këtë kuptim, liria fetare në periudhën osmane nuk ishte një koncept abstrakt, por një realitet i ndërtuar mbi norma juridike, marrëveshje politike dhe nevoja praktike të perandorisë. Ajo krijoi një model unik të bashkëjetesës, i cili ndikoi në strukturat shoqërore, kulturore dhe institucionale të popullsive shqiptare dhe la gjurmë të qëndrueshme në formësimin e identiteteve fetare dhe komunitare në rajon.
Punoi: Qendra e Hulumtimeve, Minber
[1] Cengiz Batuk, “Birarada Yaşama Sorunu Bağlamında Osmanlı- Fransisken İlişkileri”, Balkanlarda İslâm Dini ve Kültürel Hayat, Milletlerarası Tartışmalı İlmî Toplantı, C. 1, İstanbul 2020, s. 193-225.
[2] Nezir Bata, “Fermanët sulltanorë, dëshmi të tolerancës ndërfetare në Shtetin Osman”. Univers 11 (11), 2024: 103-12.
[3] Fermanlar: “Të shkruash historinë me tolerancë…”, Përgatitur nga: T.İ.K.A dhe D.P.A, Shtëpia Botuese “Arbëria”, Tiranë 2005, f. 56-175.
[4] Fermanlar: “Të shkruash historinë me tolerancë…”, po aty, f. 103.
[5] Andrea Lukani, Enciklopedia e Krishterë, Botimet “Trifon Xhagjika”, Tiranë 2009, f. 93.
[6] Azem Qazimi, “Françesku i Asizit”, Fjalor i Krishtërimit, Plejad 2010, f 102.
[7] Edmond Malaj, “Françeskanët në Shkodër e rrethina gjatë Mesjetës dhe shekujve të parë të pushtimit osman”, Hylli i Dritës, 2-2019, f. 6-31.
[8] Cengiz Batuk, “İki Sultan, St. Francis, Fransiskenler ve Bir Arada Yaşama Sorunu”, Milel ve Nihal: Inanç, Kültür Ve Mitoloji Araştırmaları Dergisi, C. VI, S. 2, 2009, s. 199-231.
[9] Ramazan Işık, “Marunileri Memlükler döneminde Fransisken Misyoner Rahiplerin Katolikleştirme Faaliyetleri” , Cumhuriyet Üniversitesi İlahiyat Fakültesi Dergisi, 2005, C. IX, S. 1, s. 203-218
[10] Resul Ay, “Moğollar ve Katolik Misyonerlik: Fransisken ve Dominiken Rahiplerinin Asya ve Yakındoğu’da Misyonerlik Faaliyetleri (13-14. Yüzyıllar)”, Avrupa Tarihinde Türk Eli: Gümeç Karamuk Armağanı, 2017, s. 39-59.
[11] Schematismus missionariae provinciae Bosnae Argentinae fratrum minorum observantium, ed: Stephani Marianocich, Zagreb 1840, f. 18.
[12] Andrea Lukani, Enciklopedia e Krishterë, Botimet “Trifon Xhagjika”, Trianë 2019, f. 63.
[13] Edmond Malaj, “Urdhëra kishtare në Shkodër dhe rrethina gjatë mesjetës”, po aty, f. 38.
[14] Andrea Lukani, Encikopedia e Krishterë, po aty, f. 64.
[15] Hylli i Dritës, Nr. 1-2, Vjeti 14, Kalnuer-Fruer, f. 80-81. Më tepër: Xhafer Sadiku, Midis perandorive dhe religjioneve: nga edikti i Kostandinit te traktati i Berlinit, Tiranë 2021.
[16] Oliver J. Schmit, Shqiptarët, një histori midis Lindjes dhe Perëndimit, Tiranë 201, f. 119.








