Fetaria që frikësohet nga libri

Hoxhë Halil Avdulli

Në periudhën kur Evropa mesjetare përjetonte një stagnim intelektual dhe debatonte mbi lejueshmërinë morale të leximit të teksteve jofetare, Bagdadi përjetonte një ngritje të pashembullt kulturore e shkencore. Në kryeqytetin e Abasidëve u formësua një qytetërim i dijes, i cili do të ushqente zhvillimin e mëvonshëm të shkencës, mjekësisë dhe filozofisë në shkallë botërore.

Fatkeqësisht, disa fetarë të sotëm – edhe pse jetojnë në shekullin XXI – bartin të njëjtën mendësi të ngushtë që karakterizoi errësirën e Mesjetës.

Ata e konsiderojnë leximin e librave laikë ose jofetarë si rrezik, dhe jo si mundësi për ta thelluar kuptimin e fesë dhe të botës.

Nëse Bagdadi i shekullit IX kishte kurajon të përkthente Aristotelin, Galenin, e filozofët indianë në arabisht – dhe të zhvillonte mbi to mendimin islam shkencor e filozofik – si mund të ketë frikë sot një besimtar nga një libër bashkëkohor i filozofisë, psikologjisë apo historisë?

Kjo mendësi e frikës nga dija është në vetvete një shenjtërim i injorancës, e cila bie ndesh me frymën e Islamit të hershëm, që i dha njerëzimit universitetet e para, laboratorët e parë dhe bibliotekat e mëdha.

Ashtu siç ndodhi në Evropën mesjetare, ku dija u burgos nga dogma, rreziku sot qëndron tek ata që e mbrojnë fenë duke e izoluar nga dija në vend që ta mbrojnë me dritën e arsyes dhe të kërkimit.

Prandaj, në debatet me këta fetarë, mund të thuhet me të drejtë se ata janë bijtë shpirtërorë të errësirës mesjetare, jo të dritës profetike.

Fetaria që frikësohet nga libri, është fetari që ka harruar vetveten.

Hoxhë Halil Avdulli