Fillon mbrojtja e Izraelit ndaj apelit të Afrikës së Jugut në GJND

Delegacioni izraelit ka filluar mbrojtjen në seancën dyditore në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND) me kërkesën e apelit urgjent të Afrikës së Jugut, transmeton Anadolu.

Dita e dytë e seancës së re dëgjimore në Hagë filloi më herët me fjalët hyrëse, të mbajtura nga përfaqësuesi izraelit, Gilad Noam.

Noam tha se njoftimi i seancës “erdhi si një surprizë e madhe”, duke shtuar se megjithëse Izraeli kërkoi që seanca të ricaktohej për javën e ardhshme, ajo u refuzua.

Duke pretenduar se Izraeli ka punuar “me zell për të mundësuar mbrojtjen e civilëve”, Noam tha se është “e drejtë dhe detyrim i Izraelit të mbrojë” qytetarët e tij.

Dje, Afrika e Jugut kërkoi urdhër në GJND për t’i dhënë fund ofensivës izraelite në Gaza, duke kërkuar masa shtesë të përkohshme kundër Izraelit.

Delegacioni i Afrikës së Jugut theksoi “shkeljet e qëllimshme” nga Izraeli kundër urdhrave detyruese të gjykatës. Delegacioni tha se Afrika e Jugut ishte e detyruar të kthehet në gjykatë për shkak të “asgjësimit të vazhdueshëm të popullit palestinez”.

Afrika e Jugut paraqiti “kërkesë urgjente” të premten e kaluar në GJND për masa shtesë në mes të sulmeve të Izraelit në Gaza, veçanërisht në qytetin Rafah, ku më shumë se 1.4 milionë palestinezë po strehohen.

“Në kërkesën e saj të re, Afrika e Jugut deklaron se masat e përkohshme të treguara më parë nga gjykata nuk janë në gjendje të ‘adresojnë plotësisht’ rrethanat e ndryshuara dhe faktet e reja mbi të cilat bazohet kërkesa (e saj)”, tha GJND në një deklaratë.

Afrika e Jugut e çoi Izraelin në GJND në fund të vitit 2023, duke e akuzuar atë për gjenocid në Gaza.

Një vendim i përkohshëm në janar tha se “besohet” se Tel Avivi po kryen gjenocid në enklavën bregdetare dhe urdhëroi Tel Avivin të ndalojë akte të tilla dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët.