Filozofia e kohës së namazeve

Kohët e përcaktuara për të falur namazet, janë kohët më të përshtatshme për të kryer adhurimin si dhe për t’u pranuar lutjet. Nëse mendojmë për kohët e namazit të mëngjesit, të drekës, ikindisë, akshamit, jacisë dhe të namazit të natës (Tehexhud), bëhet e qartë se secila ka rëndësi të veçantë në lidhje me faktorët e përmendur më lart.

Koha e faljes së namazit të mëngjesit në veçanti është një kohë paqeje, qetësie dhe çlodhjeje mendore. Pas një nate të gjatë pushimi, kur një person zgjohet, ai është i freskët. Falja shënon fillimin e një dite të re. Jeta kërkon një forcë të re dhe kjo vendosmëri kërkon udhëzimin hyjnor dhe providencën.

Në kohën e faljes së namazit të drekës, për një person me intelekt të mprehtë, një realitet i thellë zbulon veten dhe e fton atë që të përulet: dielli, që në të kaluarën ngrihej në nivelin e Hyjnisë nga të paditurit, fillon dhe përulet para Zotit dhe si rrjedhim flet nëpërmjet kësaj ngjarjeje qiellore, se nuk është Krijuesi, por një krijim që nuk duhet të adhurohet, pasi është vetë adhurues.

Koha e ikindisë paralajmëron një realitet të ri: çdo pikë e lartë ka një pikë të ulët. Asgjë në univers nuk është mbi këtë ligj. Ashtu si dita lindi, plotësoi gjysmë e ciklit dhe erdhi në prag të muzgut, njëlloj dhe kjo botë u krijua, do të arrijë kulmin dhe një ditë do t’i vijë fundi. Koha e ikindisë e shtyn personin, të mendojë për botën tjetër dhe të përulet para Zotit me pendim.

Në kohën e Akshamit hapet dera drejt një bote të re. Ky kalim është njëlloj me atë që ndodh në kohën e vdekjes dhe njeriu hyn në një botë të re, në botën e përtejme. Zoti sjell shenjën e natës pas ditës dhe të dritës së hënës pas rrezeve të diellit. Dita përfundon dhe yjet mbushin qiellin. Vetëm një njeri pa ndjenja mund të mos e ndiejë një ndryshim të tillë kaq të madh, por një njeri me intelekt të mprehtë mund ta ndiejë këtë ndryshim hyjnor në univers. Nuk është e mundur që ai person, që e kupton këtë moment, të qëndrojë indiferent ndaj Krijuesit, i Cili e sjell këtë ndryshim. Nëse ky person ka vetëm disa shkëndija jete në zemër, do t’i kushtojë vëmendje dhe do të përulet para Krijuesit të tij, fuqia dhe forca e të Cilit ia mundësuan Atij ta mbështjellë botën me mbulesën e natës, sa hap e mbyll sytë.

Koha e namazit të darkës është koha e përgjegjësisë. Errësira e natës përpin mbetjet e fundit të lëvizjeve. Njeriu kërkon të pushojë, duke lënë gjithçka, në mënyrë që të rigjallërohet për përpjekjen tjetër. Kjo shënon çastin më të përshtatshëm për një person, që para se të flejë i përulet Zotit, sepse ky çast mund të jetë çasti i tij i fundit dhe ai mund të mos zgjohet më në këtë botë.

Tehexhudi (namazi i natës) është koha e lutjeve. Asnjë kohë tjetër gjatë ditës nuk mund të krahasohet me këtë kohë, për shkak të natyrës së saj të qetë. Në këtë kohë ka qetësi absolute. Të gjithë flenë. Asnjë kohë tjetër e ditës nuk mund të krahasohet ne të. Vetëm Mëshiruesi qëndron zgjuar, Ai nuk fle asnjëherë dhe njeriu më me fat prej njerëzve. Nëse një njeri zgjohet dhe qëndron nën hijen e argjendtë të yjeve, ai do të ndiejë se dyert e qiejve janë të hapura dhe qielli më i afërt po kumbon nga thirrjet për paqe dhe pendim. Natyra e qetë e kësaj kohe dihet nga të mençurit. Gjumashët e konsiderojnë si koha më e mirë për të fjetur, ndërsa ata që rrinë zgjuar mendojnë se është koha më e mirë për të qenë zgjuar, sepse sakrifica më e mirë ka vlerë para Allahut. Vetë Allahu zbret në qiellin më të ulët, për të lëshuar mëshirën e Tij dhe për t’i falur ata, që kërkojnë mëshirë dhe falje gjatë kësaj kohe.

Këto janë kohët e faljes. Është e qartë, se secila prej tyre është shumë kuptimplotë. Adhurimi që kryhet në këto kohë ka vlera dhe ka ndikim shumë të madh tek njeriu. /ardhmeria