Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Florida ekzekuton dy të dënuar me vdekje brenda një dite, për herë...

Florida ekzekuton dy të dënuar me vdekje brenda një dite, për herë të parë që nga viti 1964

James Duckett, (L), and Dominick Occhicone were killed by lethal injection on July 28, 2026, at Florida State Prison, US.

Shteti amerikan i Floridës ekzekutoi të martën dy burra të dënuar me vdekje, duke u bërë shteti i parë në SHBA që kryen dy ekzekutime në të njëjtën ditë që nga viti 1964.

I pari që u ekzekutua ishte James Duckett, 68 vjeç, ish-polic, i cili u dënua me injeksion vdekjeprurës në Burgun Shtetëror të Floridës pranë Starke. Ai ishte shpallur fajtor për rrëmbimin, përdhunimin dhe vrasjen e 11-vjeçares Teresa Mae McAbee në vitin 1987. Sipas prokurorisë, vajza ishte rrëmbyer nga një dyqan ku kishte shkuar për të blerë një laps, ndërsa trupi i saj, i mbytur, u gjet në një liqen një ditë më vonë.

Pas ekzekutimit, nëna e viktimës, Dorthy Tula, tha se ishte e lehtësuar që procesi kishte marrë fund pas afro katër dekadash.

Më pak se pesë orë më vonë, në të njëjtën dhomë ekzekutimi u ekzekutua edhe Dominick Occhicone, mbi 80 vjeç, për vrasjen në vitin 1986 të prindërve të ish-të dashurës së tij, Anita Gerrety. Edhe ai u ekzekutua me injeksion vdekjeprurës me tre substanca.

Gjykata e Lartë e SHBA-së hodhi poshtë të martën kërkesat e fundit për pezullimin e ekzekutimeve, si për Duckett ashtu edhe për Occhicone.

Occhicone ishte personi më i moshuar i ekzekutuar në historinë moderne të Floridës dhe i dënuari i 12-të i ekzekutuar në këtë shtet gjatë këtij viti.

Në një deklaratë, fëmijët e viktimave të Occhicone thanë se dita shënonte fundin e një rrugëtimi të gjatë dhe të dhimbshëm për familjen e tyre, duke shtuar se do ta nderojnë gjithmonë kujtimin e prindërve të tyre me dashuri.

Ky ishte rasti i parë që nga viti 1964 kur Florida ekzekuton dy të dënuar me vdekje brenda së njëjtës ditë. /mesazhi