Forcat izraelite plagosin një të ri palestinez në Bregun Perëndimor

Të paktën një person është plagosur gjatë bastisjes dhe ndërhyrjes së forcave izraelite të sigurisë në orët e hershme të mëngjesit të sotëm në Bregun Perëndimor të pushtuar, raporton Anadolu Agency (AA).

Forcat izraelite herët në mëngjes bastisën disa objekte në vendbanimin palestinez Nahalin, në perëndim të qendrës së Betlehemit.

Dëshmitarë okularë të ngjarjes për AA kanë thënë se një grup të rinjsh palestinezë kundërshtuan bastisjet ndërsa forcat speciale izraelite ndërhynë duke përdorur armë zjarri, municione plastike dhe gaz lotsjellës.

“Një i ri palestinez u plagos. Ushtria izraelite e qëlloi atë në gjoks”, tha njëri nga banorët, duke kërkuar që të mos zbulohet identiteti i tij.

Pala izraelite nuk është prononcuar zyrtarisht për incidentet.

Bastisjet e objekteve dhe ndalimi i palestinezëve janë një praktikë e vazhdueshme e forcave izraelite të sigurisë në Bregun Perëndimor të okupuar. Të arrestuarit akuzohen se paraqesin kërcënim për sigurinë kombëtare të Izraelit dhe shpesh mbahen në burgjet izraelite për muaj dhe vite. Aktualisht në qendrat e paraburgimit izraelit ndodhen mbi 6.000 palestinezë.