Formohet një komision për verifikimin e gjendjes së ish-hotel Adriatikut në Mitrovicë

Drejtuar nga nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, sot mbledhja e bordit ka nisur me një minutë heshtje në shenjë nderimi dhe dhimbje për humbjen e jetës së të riut, që ishte zënë pas shembjes së një pjesë të ish hotelit “Adriatik” në qytetin e Mitrovicës.

Me këtë rast nënkryetari i komunës, Faruk Mujka, shprehu ngushëllimet e tij më të sinqerta për familjarët e të ndjerit, duke thënë se ngjarja e djeshme ka qenë tronditëse për të gjithë qytetarët e Mitrovicës, prandaj kryetari i komunës, Agim Bahtiri, ka marrë vendim që sot të jetë ditë zie në qytetin tonë dhe të pezullohen gjitha aktivitetet politike, kulturore dhe sportive.

Gjatë kësaj mbledhje ekzekutivi ka falënderuar Ekipet Emergjente komunale, Policinë e Kosovës, Zjarrfikësit, FSK-në, Ekipet mjekësore, Kompanitë ndërtuese, “EuroNdërtimi”, “Lirigzoni” si të gjithë ata vullnetarëve të cilët iu bashkuan aksionit të kërkimit, duke bërë kështu një punë të rëndë dhe në një ambient me rrezikshmëri të lartë.

Po ashtu është formuar një komision për verifikimin e gjendjes faktike në ish- hotel “Adriatiku”, në përbërje nga zyrtarë komunal të Drejtorisë së Inspeksionit, Drejtorisë së Urbanizmit dhe Drejtorisë për Mbrojtje dhe Shpëtim.

Ky komision komunal obligohet që pas kryerjes së punës të përpilojë raport me shkrim lidhur me gjendjen faktike të objektit dhe të sugjerojë për veprimet konkretë që duhet të ndërmerren, i cili më tutje do tu dërgohet organeve kompetente të sigurisë, thuhet në komunikatën për media.