Franca mirëpret pajtimin për propozimin evropian, pret angazhim pa rezerva për implementimin

Ministria e Punëve të Jashtme të Francës ka thënë se pret nga Kosova e Serbia të angazhohen pa rezerva dhe me frymë kompromisi për ta zbatuar propozimin evropian.

Franca ka mirëpritur vendimin e Kosovës dhe Serbisë për ta pranuar propozimin evropian.

Në takimin e të hënës në Bruksel mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është arritur pajtim që të mos diskutohet më tepër për propozimin evropian, ndërsa ka mbetur të diskutohet për mënyrën e implementimit.

“Pas takimit të mbajtur dje në Bruksel nën udhëheqjen e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së për politikë të jashtme, z. Josep Borrell, Serbia dhe Kosova arritën në parim një marrëveshje për propozimin evropian, që është një marrëveshje bazë me synim të normalizimit të marrëdhënieve mes dy vendeve. Franca mirëpret këtë vendim të guximshëm të dy vendeve. Tash pret që Serbia dhe Kosova të angazhohen pa rezerva dhe me frymën e njëjtë të kompromisit në zbatimin e kësaj marrëveshje që është thelbësore për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Ajo po ashtu rikujton se të gjitha marrëveshjet e arritura deri më tash në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE-ja duhet të zbatohen pa vonesa, duke përfshirë edhe dispozitat që kanë të bëjnë me Asociacionin/Bashkësinë e Komunave me shumicë serbe. Franca mbetet e mobilizuar plotësisht, në mbështetje të ndërmjetësimit evropian, për të bërë përparim të shpejtë me synim të normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë”, thuhet në komunikatën e Ministrisë së Jashtme të Francës.