Francë, mbahet raundi i parë i zgjedhjeve të përgjithshme

Në Francë filloi raundi i parë i zgjedhjeve të përgjithshme për parlamentin e ri, transmeton Anadolu Agency (AA).

Në vendin me rreth 48.7 milionë votues, qytetarët iu drejtuan kutive të votimit për të zgjedhur 577 deputetët e Parlamentit Kombëtar.

Procesi i votimit në Francë filloi në orën 08:00 me orën lokale dhe do të përfundojë në orën 18:00 ndërsa në qytetet e mëdha votimi mund të zgjasë deri në orën 20:00.

Në zgjedhje ku do të votojnë edhe votuesit jashtë vendit, orari i votimit do të jetë i ndryshueshëm në territoret jashtë vendit. Në zgjedhjet e përgjithshme garojnë 6.293 kandidatë.

Një raund i dytë do të mbahet për vendet në të cilat kandidati nuk mund të sigurojë shumicën absolute në raundin e parë.

Kompanitë hulumtuese do të mund të fillojnë të japin rezultatet e parashikuara të zgjedhjeve që nga mbyllja e votimit.

Kandidatët që marrin 12.5 për qind ose më shumë vota do të mund të marrin pjesë në raundin e dytë të zgjedhjeve, i cili do të mbahet më 19 qershor. Në këtë raund kandidati që merr më shumë vota do të mund të zgjidhet deputet.

– Aleancat në zgjedhjet e përgjithshme

Në zgjedhjet e përgjithshme të këtij viti dalin në pah dy aleanca.

Me iniciativën e Jean-Luc Melenchon të Partisë së ekstremit të majtë të Francës së Panënshtruar (LFI) e cila doli e treta në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale në prill u formua aleanca “Unioni i ri Popullor Social dhe Ekologjik” (Nupes) e cila u cilësua si një “hap historik” dhe e cila përfshin LFI-në, Partinë e Gjelbër (EEVL), Partinë Socialiste (PS) dhe Partinë Komuniste (PCF).

Aleanca Nupes synon të marrë shumicë absolute (289 vende) në parlament dhe të emërojë Melenchon për kryeministër.

– Zgjedhje e rëndësishme për politikën e Macronit

Për Macronin i cili u zgjodh për herë të dytë si president, në zgjedhjet e përgjithshme ka një rëndësi të madhe që ai të mund të sigurojë shumicën absolute në parlament dhe të formojë qeverinë, në mënyrë që ai të mund të përmbushë premtimet e tij.

– Macron mund të mos sigurojë shumicën absolute në parlament

Shtypi francez, ditët e fundit ka shkruar se aleanca nën udhëheqjen e Macronit mund të mos arrijë shumicën absolute në parlament.

Sipas sondazhit zgjedhor të kryer nga kompania Ipsos-Sopra Steria më 6-7 qershor, aleanca Ensemble në zgjedhjet e përgjithshme do të fitojë 260 deri në 300 deputetë në parlament.

Parashikohet që Nupes të marrë gjithsej 175-215 vende ndërsa partitë e ndryshme të djathta, përfshirë Partinë e Republikanëve (LR) të qendrës së djathtë dhe Unionin e të Pavarurve dhe Demokratëve UDI) të marrin 35-55 vende.

Në zgjedhjet e përgjithshme ku është kandidate edhe Marine Le Pen e ekstremit të djathtë e cila ishte rivale e Macronit në raundin e dytë në zgjedhjet presidenciale, parashikohet që partia e saj Partia e Unitetit Kombëtar (RN) të marrë 20 deri në 50 deputetë.

– Ministrat që dështojnë në zgjedhjet e përgjithshme do të japin dorëheqje

Për zgjedhjet e përgjithshme, në të cilat krahas kryeministres Elisabeth Borne janë kandidatë edhe 14 ministra në kabinet, më parë është theksuar se ministrat përfshirë edhe kryeministren do të japin dorëheqjen nga kabineti nëse nuk zgjidhen deputetë. /aa