Fundi i krijesave dhe sprovimi i besimtarëve në këtë botë

“Secili njeri do të shijojë vdekjen, e shpërblimet tuaja ju plotësohen ditën e kiametit, e kush i shmanget zjarrit e futet në Xhenet, ai ka arritur shpëtimin, e jeta e kësaj bote nuk është tjetër përveç një përjetim mashtrues. Ju patjetër do të sprovoheni si në pasurinë tuaj, si në veten tuaj, madje do të dëgjoni ofendime të shumta prej atyre që u është dhënë libri para jush, e edhe prej idhujtarëve, po në qoftë se duroni dhe ruheni, ajo është gjëja më vendimtare”. (kaptina El Bekare, 185186)

Lidhshmëria me ajetet paraprake

Në ajetet paraprake Allahu i Madhërishëm qetëson, preh e ledhaton shpirtërisht Muhamedin a.s., duke i shpjeguar atij sjelljet arrogante të popujve të mëparshëm me pejgamberët e dërguar tek ata, për t’i kujtuar se përgënjeshtrimi i tij (Muhamedit a.s.) nga ana e popullit të tij nuk është diçka e re, ngase edhe pejgamberët para tij u përgënjeshtruan nga ana e popujve të tyre, dhe kjo ndodhte me gjithë faktin që pejgamberët ishin të pajisur me argumente mbinatyrore nga ana e Krijuesit, për të vërtetuar sinqeritetin dhe besnikërinë e tyre, për atë që predikonin. Kurse në këto ajete vijuese kemi të bëjmë me qetësi, prehje e rehati për Muhamedin a.s. në aspektin e përgjithshëm, por jo vetëm për të, po edhe për shokët e tij, e më pas që kjo t’u shërbejë si mësim edhe të gjithë myslimanëve deri në e fundit. Me këtë paraqitet një çështje shumë e rëndësishme e besimit, e cila duhet ta shoqërojë besimtarin sistematikisht gjatë tërë jetës së tij. Nga kjo çështje rezulton: “Nëse ty (o Muhamed) të përgënjeshtrojnë, ky përgënjeshtrim ka fundin e vet, sepse ata do të përfundojnë me vdekje” që nënkupton se një ballafaqim i tillë ishte i përkohshëm dhe së fundi, llogaria përfundimtare do të jetë para Allahut Fuqiplotë. Njëkohësisht i Madhërishmi Allah në këto ajete u tërheq vëmendjen besimtarëve ndaj shumë çështjeve me rëndësi: si duhet të jenë të kujdesshëm dhe si duhet të sakrifikojnë për idealet madhore islame, duke ua bërë me dije se duhet të jenë syçelë ndaj sfidave dhe sprovave të kësaj jete, në mënyrë që të përgatiten për t’u ballafaquar me to, me devotshmëri, durim e vendosmëri.

Komentimi i ajeteve

“Secili njeri do të shijojë vdekjen”
Me këtë ajet Krijuesi Fuqiplotë na informon prerazi dhe shumë qartë se çdo njeri dhe çdo krijesë e gjallë do ta ketë fundin e vet, për se Zoti xh.sh. tha: “Çdo gjë që është në të (në tokë) është e zhdukur. E do të mbetet vetëm Zoti yt që është i Madhërishëm e i Nderuar.” (Kaptina Err Rrahman, 26-27).
Vetëm Allahu xh.sh. nuk ka fund, kurse të gjitha krijesat kanë fund dhe vdesin: njerëzit, xhinët, e në mesin e tyre edhe melaiket.1 Ky ajet në një mënyrë i përngjan një lloj ngushëllimi ndaj njerëzve, sepse të gjithë ata do të kenë përfundimin e tyre dhe në Ditën e Gjykimit në botën tjetër, të gjithë do të japin llogari para Allahut xh.sh. për të gjitha veprat dhe punët e tyre, pa u bërë atyre as një padrejtësi absolutisht, ndaj në vijim të ajetit thuhet: “E shpërblimet tuaja u plotësohen ditën e kiametit”.
Patjetër, çdo njeri duhet ta mbjellë në mendjen dhe shpirtin e tij këtë të vërtetë absolute? se jeta në këtë botë është kalimtare dhe e përkohshme, duhet të vdesin të mirët dhe të këqijtë, besimtarët e jobesimtarët, të pasurit dhe të varfrit, vdesin të devotshmit dhe kriminelët. Në këtë ajet vërejmë shprehjen “ do ta shijojë”, por në shumë ajete të tjera hasim shprehjen “të mbytur” ose “të vdekur”, të cilat gjithashtu sinjalizojnë fundin e njerëzve, por edhe ai që mbytet në ndonjë rast, vdekjen e ka të caktuar. Lidhur me këtë, dikush mund të pyes: Ky i vrarë, po të mos vritej, a thua do të vdiste në atë moment? Përgjigjja do të ishte: Po, ngase i vrari ka vdekur në bazë të exhelit të përcaktuar – momentit të përcaktuar për të ndërruar jetë, mirëpo ai që e ka vrarë, do të japë përgjegjësi për këtë ve për kriminale, sepse vetë i ka krijuar shkaqet paraprake për atë krim dhe veprën ka kryer me vetëdashje. Pra, çdo shpirt do të shijojë vdekjen, qoftë ajo vdekje natyrore e zakonshme, ose vrasje.
Në vijim shih saktësinë e shprehjes kur’anore: “e shpërblimet tuaja ju plotësohen ditën e kiametit”, që d.t.th.: O besimtarë, kini kujdes! Mos pritni rezultatin e im anit besimit e sakrificës tuaj në këtë botë, sepse, nëse merrni shpërblimin në këtë botë, atëherë ta dini se ajo është kohë e shkurtër dhe përfundon shpejt, kurse shpërblimi për besimin dhe sakrificën tuaj patjetër duhet të jetë në botën tjetër, në mënyrë që ai të jetë i vazhdueshëm, sistematikisht dhe pa përfundim. Sa për ilustrim, po theksojmë një shembull të kohës së Muhamedit a.s., kur ai në besëlidhjen e dytë të Akabes, mori zotimin nga ensarët banorët e Me dinës, se kishin për t’iu përmbajtur dispozitave fetare, të cilët më pastaj thanë: Çka do të thotë kjo për ne, nëse e përmbushim zotimin, o i dërguar i Allahut? Muhamedi a.s. në atë moment nuk u tha atyre se do të fitonin ata, do të triumfonin apo do ta sundonin botën, por u tha: Do ta fitoni Xhenetin”, atëherë, ata thanë: Shtrije dorën, dhe Muhamedi a.s. shtriu dorën dhe ensarët ia dhanë besën zotimin.
Me këtë sikur Allahu i Madhërishëm do të thotë: Kujdes o besimtarë, ju nuk duhet të shpresoni që shpërblimi i besimit e sakrificës tuaj të jetë në këtë botë, ngase është i shkurtër dhe i pakët, por binduni se shpërblimi ju pret në botën tjetër, i cili është i amshueshëm e pa përfundim Xheneti.
Mirëpo, dhënia e shpërblimit në botën tjetër nuk do të thotë se besimtarët nuk do të kenë një lloj shpërblimi edhe në këtë botë, ndaj për ilustrim po marrim shembull atë që vdes në betejën e luftës, i cili nuk ka mundësi ta përjetojë gëzimin me rastin e fitores, dhe as për plaçkën e luftës, por shpërblimin në tërësi do ta ketë të garantuar në botën tjetër, kurse ai që ka luftuar e nuk ka rënë në betejë dhe ka përjetuar fitoren, ka marrë plaçkën e luftës etj., kjo për të është një pjesë e shpërblimit në këtë botë, kurse plotësimi i shpërblimit i bëhet në botën tjetër, në Xhenet, andaj edhe shprehja e përdorur në ajet “u plotësohen”, nënkupton se shpërblimet do të plotësohen në botën tjetër në Xhenet.2
Ndërsa Imam Bejdaviu mendon se ”plotësimi i shpërblimeve” i theksuar në ajet, sinjalizon se më përpara do të kishte disa shpërblime në jetën e varrezave, dhe ato më pastaj do plotësohen në Xhenet, duke argumentuar edhe me hadithin e Muhamedit a.s.: “Varri është kopsht prej kopshteve të Xhenetit ose gropë prej gropave të zjarrit”.3
Me një fjalë, Allahu i Madhërishëm po u drejtohet besimtarëve: Mos u pikëlloni, dhe mos u dëshpëroni nga dhembjet që u shkaktojnë pabesimtarët, sepse çdo njeri do të vdesë, e më pastaj në botën tjetër në Xhenet ju, o besimtarë, do ta merrni shpërblimin e merituar e të plotë, për besimin dhe sakrificat tuaja.
Ndërsa në vijim të ajetit, shihet qartë rezultati i imanit – besimit në botën tjetër, ku kurorëzohet me shmangie nga zjarri dhe futje në Xhenet, prandaj thuhet: “E kush i shmanget zjarrit e futet në Xhenet, ai ka arritur shpëtim”
Me këtë sinjalizohen veprat e njerëzve, të cilat i thërrasin pronarët e tyre për
në zjarr, sepse njeriu në përgjithësi në këtë botë më tepër anon nga sherri e pasioni i tepruar, sesa nga hajri e punët e mira, andaj shmangia nga zjarri është shpëtim. Kjo nënkupton se nga zjarri do të shmangen ata të cilët, me cilësitë e tyre morale, edukuese, fetare dhe njerëzore kanë arritur të mposhtin cilësitë jonjerëzore, të këqija e shtazarake, dhe me plot sinqeritet, çiltëri dhe devotshmëri janë kthyer tek Allahu xh.sh.4
Shprehja e përdorur “i shmanget”, lë të kuptohet se zjarri i Xhehenemit ka një masë të fortë tërheqëse dhe tërheq çdokënd që i afrohet, dhe me atë rast njeriu ka nevojë për dikë që e largon – e mënjanon nga ajo masë e fortë tërheqëse, prandaj, kjo është e natyrshme, ai që i shmanget asaj dhe shpëton, pa dyshim hyn në Xhenet dhe shpëton. Këtu hasim një përshkrim kur’anor fantastik, përshkrim konkret i shmangies nga zjarri.
Dhe me të vërtetë, realiteti i tij është i tillë, ngase zjarri me atë rast ka masë tërheqëse shumë të fortë. A thua, puna e keqe – mëkati në këtë botë, nuk ka masë tërheqëse? Sigurisht që ka, dhe në këtë gjendje, a nuk ka nevojë njeriu për dikë që e largon nga ajo fuqi tërheqëse e mëkatit? Patjetër se po! A thua besimtari arrin t’i kryejë të gjitha obligimet dhe t’u përmbahet të gjitha dispozitave hyjnore në mënyrë të përkryer? Sigurisht që jo, por me mëshirën e Allahut xh.sh. shmangen besimtarët nga zjarri i Xhehenemit dhe shpërblehen me Xhenet, si rezultat i besimit dhe sakrificës së tyre në këtë botë.5
Nga ky sqarim kuptojmë se kur thuhet për dikë “u shmang – u largua filani”, kuptojmë se ai ishte duke qëndruar në një vend, i frikësuar, e si ndodh kjo me zjarrin? Shkak i ekzistimit të zjarrit janë mëkatet, e mëkatet janë pa dyshim shumë tërheqëse për mëkatarët, kurse besimi dhe veprat e mira vijnë që t’i shmangin besimtarët nga zjarri. Pra, zjarri ka masë të fortë tërheqëse, sepse është i mllefosur dhe i hidhëruar nga pabesimtarët, prandaj Allahu xh.sh. në kaptinën “El Mulk”, këtë e përshkruan kështu: “Nga zemërimi, ai gati copëtohet”. Në vijim Zoti i Madhërishëm i thotë zjarrit: “A je mbushur? E, ai përgjigjet: A ka ende?” (kaptina Kaf, 31).
Shkak i ekzistimit të zjarrit janë më katet e kësaj bote, ngase mëkatet tërheqin dhe joshin mëkatarët, andaj edhe zjarri ka tërheqje të fortë sikurse më katet në këtë botë që tërheqin njeriun, dhe të qëndruarit as në Xhenet e as në zjarr, është gjë e mirë (njëfarë fitoreje), e ç ‘mendon nëse largohet – shmanget nga zjarri dhe hyn në Xhenet? Pa dyshim, kjo është fitore e madhe. Për këtë arsye mbi zjarr ekziston një urë (Sirati), nëpër të cilën do të ecin njerëzit. A thua pse? Në mënyrë që besimtarët ta shohin zjarrin dhe të kuptojnë se, sikur të mos ishte besimi i tyre, nuk do të mund ta kalonin atë, dhe thonë: Falënderuar qoftë Allahu i Madhërishëm që na shpëtoi nga zjarri. Kështu nga shprehja kur’anore ”i shmanget”, kuptojmë se dikush tjetër i shmang nga zjarri besimtarët, e Ai është Allahu, i Cili në këtë botë ka nderuar dhe fisnikëruar besimtarët me iman – besim, e në botën tjetër i shmang nga zjarri si rezultat i besimit të tyre. Ndërsa, në vijim të ajetit përshkruhet jeta e kësaj bote: “E jeta e kësaj bote (dynjaje) nuk është tjetër përveç një përjetim mashtrues”
Derisa Allahu xh.sh. jetën në të cilën jemi, e cilëson si “dynja”, sinjalizon qartë se ekziston një jetë tjetër, e cila nuk është si kjo dynja, por është krejt tjetër, e amshueshme dhe madhështore, për kë të arsye në ajetin tjetër, kjo çështje përshkruhet kështu: “Kjo jetë e kësaj bote nuk është tjetër vetëm se dëfrim e lojë, e jetë e vërtetë, pa dyshim është ajo e botës së ardhme ( Ahireti), sikur ta dinim”. ( Kaptina El Ankebut, 64).
Kjo d.t.th. se bota tjetër është jetë e cila me plot të drejtë meriton të quhet jetë, ngase është e përhershme, kurse njeriu në këtë dynja kalimtare mund të bëjë dëfrim e kënaqësi në bazë të mundësive të tij, por ato janë të pakta dhe të përkohshme, andaj njeriu nuk meriton e nuk duhet të mashtrohet dhe t’i lakmojë së tepërmi këto, gjithnjë duke kujtuar ajetin kuranor: “Jo, është e vërtetë se ai i kalon kufijtë, për shkak se e ndien veten të pavarur”. (kaptina El Alak, 67)6
Kjo jetë e dynjasë është përjetim mashtrues, sepse është kalimtare dhe e shkurtër, ndaj i Madhërishmi Allah na tërheq vëmendjen se jeta e botës tjetër është më e dobishme dhe e përjetshme, ndaj edhe thotë: “Po ju po i jepni përparësi jetës së kësaj bote. E dihet se jeta e botës tjetër është më e dobishme dhe e përjetshme”. (kaptina El A’ëla, 16 17),
si dhe ajeti tjetër: “Dhe çdo gjë që ju është dhënë juve është kënaqësi dhe shije e kësaj bote, ndërsa ajo që është tek Allahu (thevabi), është shumë më e mirë dhe e përhershme, pra, a nuk mendoni?” (kaptina El Kasas, 60).
Përjetimi i kënaqësive të kësaj dynjaje është vetëm mashtrues, kurse kënaqësia e vërtetë, e cila meriton përpjekje e mundime, angazhim e sakrificë është ajo e jetës tjetër, që manifestohet me hyrje në Xhenet dhe shmangie largim nga zjarri. Dhe kur kjo bindje ngulitet thellë në shpirtrat e besimtarëve, atëherë pasoj në sprovat e ndryshme ndaj tyre në pasuri, në vete etj., kjo sepse ata tashmë janë përgatitur që të ballafaqohen me sprova të tilla.
Allahu xh.sh. i drejtohet Muhamedit a.s. dhe besimtarëve në përgjithësi, duke u shpjeguar atyre se imani – besimi është dhurata më e mirë për ta në jetën e kësaj bote, po, megjithëkëtë, kjo nuk do të thotë se ata nuk do të sprovohen me lloj-lloj sprovash, ngase çështja e imanit kërkon natyrisht sprova për të vënë në peshojë atë. Për këtë arsye në vijim tha: “Ju patjetër do të sprovoheni si në pasurinë tuaj, si në veten tuaj, madje do të dëgjoni ofendime të shumta prej atyre që u është dhënë libri para jush, e edhe prej idhujtarëve, po në qoftë se duroni dhe ruheni, ajo është gjëja më vendimtare”.
Sprovimi është ligj nga ligjet e Zotit ndër besimtarë, si në pasuri, në vete etj., pas së cilës është i domosdoshëm durimi dhe vendosmëria, ngase kjo është rruga për në Xhenet. Sprovimi është mënyra më e mirë për të pastruar shpirtrat e besimtarëve, e për të matur sinqeritetin e tyre në besim, dhe në të njëjtën kohë për, të pastruar radhët e tyre, duke krijuar në këtë mënyrë shoqëri të pastër, të edukuar e të fortë islame, që të jetë në gjendje të përballojë të gjitha vështirësitë, sfidat dhe pengesat përgjatë jetës dhe misionit të thirrjes islame. Me këtë vërtetohet qartë se shoqëria islame, e formuar mbi këtë bazë, është e përgatitur për thirrjen islame dhe zbatimin e programit hyjnor, ngase ballafaqimi me pengesa, sfida e sprova të ndryshme, domosdo kërkon durimin dhe zgjon ndjenjën fuqizuese të imanit për sakrificë për hir të së vërtetës hyjnore islame. Me rastin e sprovimit, besimtarët arrijnë të kuptojnë realisht vetveten e tyre, ngase ata atëherë shohin praktikisht proceset jetësore e ngjarjet e ndryshme, duke kuptuar se sprovimet po vënë në peshojë besimin dhe vendosmë rinë e tyre, e në anën tjetër, me durim dhe sakrificë, ata forcojnë bindjen dhe devotshmërinë në tërësi. Kështu pastrohen edhe radhët e besimtarëve nga ata që nuk bëjnë durim, nuk ruhen e nuk janë të vendosur për sakrificë maksimale, dhe që kanë rënë nën ndikimin e cytjeve të djallit. Andaj, përballë këtyre ballafaqimeve, sprovave dhe sfidave, më të durueshmit janë të devotshmit dhe të sinqertët.7
Sprovimet e ndryshme të besimtarëve në jetën e kësaj bote janë konfirmuar edhe në shumë ajete të tjera si: “Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta, e edhe nga frytet, po ti jepu myzhde durimtarëve. Të cilët kur i godet ndonjë e pakëndshme thonë: Ne jemi të Allahut dhe ne vetëm tek Ai kthehemi”. (kaptina El Bekare, 155156).
Nga kjo kuptojmë se besimtarët do të sprovohen patjetër në jetën e tyre, me ve ten e pasurinë e tyre, në familje e fëmijë, në mënyrë që të vihet në peshojë besimi, vendosmëria dhe sinqeriteti i tyre. Nëse ata tregohen të durueshëm, atë herë ata sprovohen edhe më shumë: ”madje do të dëgjoni ofendime të shumta prej atyre që u është dhënë libri para jush, e edhe prej idhujtarëve”.
Me këto fjalë i Madhërishmi Allah i drejtohet Muhamedit a.s. dhe besimtarë ve, pas kalimit të tyre në Medinë, duke u dhënë atyre përkrahje, qetësi dhe prehje përballë ofendimeve e nënçmimeve që u bëheshin nga pabesimtarët, duke i urdhëruar në të njëjtën kohë për durim dhe sakrificë deri në fitore.
Transmetohet nga Usame bin Zejd se Muhamedi a.s. dhe shokët e tij, ashtu si i kishte urdhëruar Allahu xh.sh., duronin dhe nuk hakmerreshin ndaj ofendimeve të pabesimtarëve, dhe pikërisht për këtë shkak zbriti edhe ajeti: “ Madje do të dëgjoni ofendime të shumta prej atyre që u është dhënë libri para jush, e edhe prej idhujtarëve”. Transmetuesi me këtë rast shton se Muhamedi a.s. bënte durim dhe nuk hakmerrej ndaj tyre, dhe kjo gjendje zgjati derisa Krijuesi Fuqiplotë u lejoi atij dhe besimtarëve vetëmbrojtjen.8
Gjithashtu transmetohet nga Abdullah bin Keab bin Malik, nga babai i tij, të ketë thënë se Keab bin Eshref – jehudi, ishte poet dhe përqeshte Muhamedin a.s. dhe i cyste pabesimtarët kundër tij, dhe kur Muhamedi a.s. arriti në Medinë, gjeti banorët e saj të ndryshëm? prej tyre myslimanë, idhujtarë politeistë dhe jahudinj, andaj Muhamedi a.s. deshi të lidh te marrëveshje paqeje në mes tyre. Mirëpo, politeistët dhe jahudinjtë e ofendonin atë dhe shokët e tij në të gjitha mënyrat, ndërsa Zoti i Madhërishëm urdhëroi të dërguarin e Tij dhe besimtarët për durim, dhe zbriti ajeti: ”Madje do të dëgjoni ofendime të shumta prej atyre që u është dhënë libri para jush, e edhe prej idhujtarëve”.9
Në këtë ajet vërejmë se sprovimi në pasuri i ka paraprirë sprovimit në vete, ngase sprovimi në vete mund të jetë me vrasje, me sëmundje etj., e nëse është me vrasje, atëherë kuptohet se çdo besimtar nuk do të vritet, dhe sprovimi i tillë nuk i përfshin të gjithë besimtarët, kurse në pasurinë e tyre do të sprovohen të gjithë.
Dikush nga njerëzit gabon kur thotë se sprova në esencë është e keqe, sepse në të vërtetë sprova është sikurse provimi në shkollë për të vërtetuar kush arrin sukses e kush dështon, prandaj, kur Allahu xh.sh. tha: “Do të sprovoheni”, kjo i ngjan fjalës së mësuesit kur u drejtohet nxënësve: “Do të keni provim”, atëherë a do të thotë kjo se sprova është e keqe? Pa dyshim se jo! Në parim ai që nuk di të ballafaqohet me sprovën ashtu si duhet, sigurisht se ajo do t’i hakmerret, kurse ai që e përballon me sukses, përfiton nga ajo.
Sa për ilustrim po marrim shembullin e atij që sprovohet në pasuri dhe me sukses e përballon atë, duke thënë: E tëra është e kaluar, Allahu xh.sh. zvogëloi përgjegjësinë time, ngase, po të kisha pasuri e nuk do e shfrytëzoja në rrugët e duhura, atëherë pasuria për mua do të ishte vetëm sprovë dhe mëkat, ndaj Zoti xh.sh. ma pakësoi atë, në mënyrë që të mos më bëjë me mëkate e të më shpjerë në zjarr. Këtë shpjegim e gjejmë edhe në ajetin tjetër, ku thuhet: ” E njeriu, kur e sprovon Zoti i Tij, e nderon dhe e begaton, ai thotë: Zoti im më ka ndihmuar!. Por, kur, për ta sprovuar, ia pakëson furnizimin (e varfëron), ai thotë: Zoti im më ka nënçmuar!” (kaptina El Fexhr, 15-16).
Njeriu kur ka pasuri dhe me plot mirënjohje thotë: Zoti im më nderoi, është shumë më e mirë, dhe më e vlefshme sesa ai për të cilin Zoti xh.sh. tha: “Ai (Karuni) tha: Më është dhënë vetëm në saje të dijës sime! Po a nuk e di ai se Allahu para tij ka shkatërruar nga popujt e lashtë të tillë që ishin edhe më të fuqishëm e më të pasur se ai….” (El Kasas, 78).
Nga kjo kuptojmë se ai që mendon se pasuria është nderim, kurse varfëria nënçmim, kështu ka gabuar, ngase pasuria nuk është gjithmonë argument i nde rimi t, dhe as varfëria argument i nën çmimit. Por, kur mund të jetë pasuria argument i nderimit? Ajo mund të jetë argument i nderimit vetëm atëherë kur besimtari e shfrytëzon në rrugën e duhur, e nëse nuk vepron ashtu dhe e keqpërdor, atëherë pasuria për të është nënçmim dhe mëkat, dhe në këtë rast varfëria është më e mirë, prandaj Allahu xh.sh. tërheq vërejtjen me fjalët: “Jo, nuk është ashtu! Por (punoni edhe më zi), ju nuk e përfillni bonjakun. Nuk cytni njëri tjetrin për ta ushqyer të varfrin. Dhe ju e hani me të madhe trashëgimin (e padrejtë). (kaptina El Fexhr, 17,18,19).
O ju që nuk e përfillni bonjakun, nuk ushqeni të varfrit dhe e hani trashëgimin me të padrejtë, për ju si mund të jetë pasuria nderim? Jo, në këtë rast pasuria është nënçmim, mëkat, ngarkesë e përgjegjësi, dhe, nëse jeni të tillë, e Zoti i Madhërishëm jua merr pasurinë, kjo s’mund të jetë nënçmim për ju, por lehtësim dhe heqje e barrës së mëkatit nga ju. Andaj, pasuria gjithmonë s’mund të jetë argument i nderimit, dhe as varfëria argument i nënçmimit.10

_____________________

Fusnotat: 1. Ibni Kethiri, Tefsir ElKuran ElAdhim, vëll. i parë, faqe 434, pa vit botimi, Kajro
2. Tefsiri i Muhamed Muteveli Esh Sharavit, vëll. i tretë, faqe 19241925, pa vit botimi, Kajro.
3. Tefsir El Bejdavi, Envar Et Tenzil ve Esraru Et Te’vil, vëll. i parë, faqe 194, viti i bot. 1999, Bejrut
4. Muhamed Mahmud Hixhazi, Tefsir ElVadih, vëll. i parë, faqe 318, viti i bot. 1992, Kajro
5. Sejjid Kutub, Fi Dhilalil Kuran, vëll. i parë, faqe 539, viti i bot. 1996, Kajro.
6. Tefsiri i Muteveli Sharavit, faqe 1926, 1927, 1928.
7. Fi Dhilalil Ku’ran, Sejjid Kutub, faqe 539 540.
8. Ibni Kethiri, Tefsir El Kuran ElAdhim, faqe 435. Shkaku i zbritjes së këtij ajeti në këtë transmetim theksohet shkurtimisht, kurse Imam Bejhekiu gjatë komentimit tij e thekson gjerësisht.
9. Imam Nisaburi, Esbabu En Nuzul, faqe 114, viti i bot. 1996, Kajro.
10. Tefsiri i Muteveli Esh Sharavit, faqe 1920 – 1921.

Mr. Adnan Simnica