Ballina Lajmet Rajon dhe Botë Fundi i luftës, vetëm kur SHBA-ja të frenojë Izraelin

Fundi i luftës, vetëm kur SHBA-ja të frenojë Izraelin

Sfidat e një armëpushimi të pasigurt përballë izolimit diplomatik të Tel Avivit dhe llogarive gjeopolitike të reja të Uashingtonit

Armëpushimi aktual midis Shteteve të Bashkuara dhe Iranit, përfaqëson një pikë kthese gjeopolitike, ku Donald Trump, përballë dështimit të bllofit të tij apokaliptik, u detyrua të pranonte një pozicion dobësie strategjike për të shmangur një konflikt të pakontrollueshëm.

Pranimi i propozimit iranian prej dhjetë pikash si bazë për bisedime shënon një kapitulim të heshtur të doktrinës së “presionit maksimal”.

Sepse ky dokument përfshin kërkesa që dikur konsideroheshin “vija të kuqe” të pakalueshme për Uashingtonin, si tërheqja e forcave luftarake amerikane nga rajoni, njohja e plotë e të drejtës së Iranit për pasurim bërthamor dhe dëmshpërblimi për humbjet ekonomike të shkaktuara nga lufta.

Ky zhvillim dëshmon se Irani ka dalë nga ky ballafaqim si një fuqi rajonale e konsoliduar, e cila ka dëshmuar se mund të diktojë kushtet e saj përmes kontrollit efektiv mbi Ngushticën e Hormuzit, duke e kthyer këtë pikë strategjike në një mjet presioni gjeopolitik dhe ekonomik, që i detyron fuqitë globale të ulen në tryezën e negociatave me kushte të diktuara nga Teherani.

Nga ana tjetër, qeveria izraelite shfaqet si aktori i vetëm me një interes jetik për vazhdimin e armiqësive, pasi për Benjamin Netanyahun ky armëpushim përfaqëson një disfatë të plotë strategjike dhe politike që rrezikon mbijetesën e tij në pushtet.

Izraeli nuk ka përmbushur asnjë prej objektivave të tij ushtarake. Ai nuk ka arritur të eliminojë Hamasin dhe mbetet i paaftë për të frenuar Hezbollahun në veri, ndërkohë që Republika Islamike mbetet jo vetëm e paprekur, por politikisht më e fortë se kurrë më parë.

Izolimi diplomatik i Izraelit është thelluar në mënyrë të paprecedentë, duke humbur mbështetjen e opinionit publik në Shtetet e Bashkuara, ku tashmë gjashtëdhjetë për qind e amerikanëve e shohin negativisht shtetin izraelit, një përmbysje mahnitëse që e bën mbështetjen e pakushtëzuar për Tel Avivin një kosto të lartë politike për çdo administratë amerikane.

Në këtë kontekst, sulmet e fundit intensive izraelite në territorin libanez, të ndërmarra menjëherë pas shpalljes së armëpushimit, lexohen si një përpjekje e qëllimshme dhe e dëshpëruar e Netanyahut për të sabotuar procesin e stabilizimit dhe për të ruajtur gjendjen e konfliktit të përhershëm për interesa të brendshme politike.

Kjo sjellje agresive tregon se në gjendjen e tij aktuale, Izraeli e sheh paqen si një kërcënim ekzistencial për lidershipin e tij aktual. Prandaj një fund i qëndrueshëm dhe real i luftës, do të jetë i mundur vetëm nëse Shtetet e Bashkuara marrin vendimin për të ndryshuar raportin e tyre me aleatin e tyre kryesor dhe për të ushtruar presionin e duhur për të frenuar agresionin izraelit.

Pa këtë ndërhyrje vendimtare të Uashingtonit, çdo marrëveshje do të mbetet thjesht një pauzë taktike dhe e brishtë përpara një përshkallëzimi të radhës, pasi paqja kërkon jo vetëm vullnetin e Iranit dhe SHBA-së për të negociuar, por mbi të gjitha ndërprerjen e ciklit të dhunës që ushqehet nga nevoja e qeverisë izraelite për luftë të pandërprerë, si mjet për të shmangur llogaridhënien morale dhe ligjore për dështimet e saj strategjike. /tesheshi