Fushata zgjedhore fillon më 3 shkurt, përfundon më 12 shkurt

Komisioni Qendror Zgjedhor ka zhvilluar sot mbledhjen e radhës, të parën pas caktimit të datës së zgjedhjeve nga U.D së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani.

Ndër të tjerash Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka tha se që nga sot fillojnë përgatitjet për këto zgjedhje.

“Siç e dini që nga mbrëmja e djeshme ne kemi datën e shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme për Parlamentin e Republikës së Kosovës.Ne jemi të obliguar që nga dita e sotme të fillojmë përgatitjet për organizimin e këtyre zgjedhjeve”, tha ajo.

Gjithashtu u theksua se fushata zgjedhore për partitë politike në vend është dhjetë ditë dhe parashihet të fillojë më tre shkurt dhe përfundon më 12 shkurt.

“Më 3 shkurt fillon fushata zgjedhore dhe zgjatë 10 ditë”, transmeton lajmi.net.

Ndërsa u bë e ditur se sa i përket diasporës aplikimi për regjistrimin e votimit fillon më 13 janar, deri më 24 janar.

“Ndërsa periudha e votimit përmes postës fillon me dy shkurt dhe përfundon 24 orë pas zgjedhjeve”.

Në këtë mbledhje u diskutua edhe për stafin që do të merret me votimet.