CNN: Dokumente kyçe të FBI-së mbi Epstein mungojnë, përfshirë dëshminë kundër Donald Trump
Disa dhjetëra intervista të dëshmitarëve të FBI-së nga hetimi për Jeffrey Epstein mungojnë nga një paketë e madhe dokumentesh të publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë muajin e kaluar, raporton CNN. Midis tyre janë tre intervista që lidhen me një grua që akuzoi Presidentin amerikan Donald Trump për sulm seksual disa dekada më parë.
Sipas të dhënave të ofruara avokatëve të Epstein dhe bashkëpunëtores së tij të ngushtë Ghislaine Maxeell, më shumë se 90 intervista, ose më shumë se një e katërta e dokumentacionit, nuk janë në faqen zyrtare të internetit të Ministrisë së Drejtësisë.
Dokumentet që mungojnë përfshijnë tre intervista me një grua që pretendoi se Epstein kishte qenë me të që kur ishte 13 vjeçe, dhe e cila gjithashtu e ka akuzuar Trump-in për sulm seksual.
Kongresmeni demokrat Robert Garcia tha se mungesa e këtyre dokumenteve hedh dyshime nëse administrata Trump është pajtuar me ligjin që kërkon publikimin e dosjeve të FBI-së që lidhen me Epstein.
“Ne kemi një të mbijetuar që ka bërë akuza serioze kundër presidentit. Megjithatë, duket se disa nga intervistat që FBI zhvilloi me të mungojnë dhe ne nuk kemi qasje në ato dokumente,” tha Garcia për CNN.
Trump ka mohuar vazhdimisht çdo shkelje në lidhje me Epstein, dhe Shtëpia e Bardhë i ka quajtur akuzat “të rreme dhe sensacionale”.
Reagimet dhe hetimi
Departamenti i Drejtësisë i SHBA-së tha se asnjë dokument nuk ishte fshirë dhe se të gjitha dokumentet përkatëse ishin të disponueshme, ndërsa ato që nuk u publikuan ishin nga hetimet në vazhdim, përmbanin informacion të privilegjuar ose ishin kopje.
Disa nga dokumentet e humbura lidhen me gruan që akuzoi Trump, e cila më parë i kishte raportuar FBI-së se ishte viktimë e Epstein në Karolinën e Jugut. Raportet tregojnë se abuzimi filloi kur ajo ishte rreth 13 vjeçe.
Shumica e dokumentacionit mbetet e redaktuar dhe identitetet e dëshmitarëve në shumë raste nuk janë publikuar. Një dokument thotë se gruaja ishte paralajmëruar të mos implikonte “persona të famshëm” nga frika e hakmarrjes.
Reagimi i viktimave
Disa nga viktimat, si Haley Robson, kritikuan Departamentin e Drejtësisë për mungesën e transparencës së plotë.
“Ky publikim i papërshtatshëm i dokumenteve nuk është vetëm një gabim procedural; është thellësisht personal. Publikimi i paplotë përjetëson të njëjtin sekret që lejoi që këto krime të vazhdonin për vite me radhë”, shkroi Robson në një letër drejtuar një gjyqtari federal.
Ekspertët thonë se dokumentet e humbura “302” – raportet e FBI-së që dokumentojnë intervistat – janë një element kyç në kuptimin e hetimeve të Epstein dhe Maxwell. Pa to, pamja e plotë e hetimit mbetet e paplotë. /teshesh



