G20-a pa deklaratë të përbashkët për konfliktin ruso-ukrainas

Shkëmbimet e zemëruara të toneve për luftën e Rusisë në Ukrainë kanë dominuar bisedimet e G20-ës, me Indinë mikpritëse që tashmë e di që mosmarrëveshjet nënkuptojnë se nuk do të ketë një deklaratë të përbashkët, sipas BBC.

Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken tha se takimi ishte dëmtuar nga “lufta e paprovokuar dhe e pajustifikuar” e Rusisë.

Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov akuzoi Perëndimin për “shantazh dhe kërcënime”.

India kishte dashur të përqendrohej në çështje të tjera që preknin vendet në zhvillim, por tha se dallimet mbi Ukrainën “nuk mund të pajtoheshin”.

“Ne u përpoqëm, por hendeku midis vendeve ishte shumë i madh”, tha ministri i Jashtëm indian, Jaishankar.

G20-ta, që përfshin 19 vendet më të pasura të botës plus Bashkimin Evropian, përbën 85% të prodhimit ekonomik global dhe dy të tretat e popullsisë së tij.

Ministrat e Jashtëm të grupit, përfshirë Sergei Lavrov, Antony Blinken dhe kinezin Qin Gang po takohen në Nju Delhi, nën presidencën e radhës të Indisë.

Ky ishte takimi i parë ballë për ballë i diplomatëve të lartë amerikanë dhe rusë që nga fillimi i luftës, pak më shumë se një vit më parë.

Blinken u takua me Lavrovin për rreth 10 minuta në kuadër të samitit dhe i tha atij se Perëndimi do të qëndronte pranë Ukrainës “për aq kohë sa të duhej”.

Blinken gjithashtu i bëri presion Rusisë që t’i bashkohet traktatit të kontrollit të armëve bërthamore “New Start”, nga i cili ajo u tërhoq kohët e fundit dhe t’u përmbahet kushteve.

Zyrtarët rusë mohuan se kishte pasur ndonjë negociatë tjetër.

Më herët, Rusia akuzoi gjithashtu Perëndimin për “varrosjen” e një marrëveshjeje për të lejuar disa eksporte të grurit të Ukrainës – por SHBA u kundërpërgjigj duke thënë se Moska po pengonte eksportet ukrainase.

Ndërkohë zyrtarët rusë thanë se Moska dhe Pekini kishin rënë dakord të kundërshtonin atë që ata e quajtën shantazh dhe kërcënime perëndimore – por kjo nuk është konfirmuar nga Kina.

”Homologët tanë perëndimorë nuk po mendojnë më për diplomaci, tani merren vetëm me shantazh dhe kërcënim të gjithë të tjerëve”, tha Lavrov.

Kryeministri indian Narendra Modi hapi seancën duke folur për vendet në zhvillim dhe duke thënë se të pranishmit kishin një përgjegjësi ndaj tyre.

“Ne po takohemi në një kohë ndarjesh të thella globale”, u tha Modi ministrave të mbledhur në Nju Delhi duke u kërkuar delegatëve të gjejnë gjuhën e përbashkët.

“Pas vitesh përparimi, ne jemi sot në rrezik për t’u kthyer prapa në objektivat e zhvillimit të qëndrueshëm. Shumë vende në zhvillim po luftojnë me borxhe të paqëndrueshme ndërsa përpiqen të sigurojnë ushqim dhe energji”, tha ai.

“Ata janë gjithashtu më të prekur nga ngrohja globale e shkaktuar nga vendet më të pasura. Kjo është arsyeja pse presidenca e G20-s e Indisë është përpjekur t’i japë një zë Jugut Global”, theksoi Modi.

Ishte një fjalim i rrallë i zotit Modi në anglisht – një shenjë se sa seriozisht donte që të merrej mesazhi i tij.

Ai nuk bëri asnjë referencë të drejtpërdrejtë për luftën në Ukrainë, por pranoi se diskutimet do të ndikoheshin nga tensionet gjeopolitike.

Slogani i Indisë për G20-n është “Një tokë, një familje, një e ardhme”.

Modi u bëri thirrje delegatëve që ta marrin në zemër dhe të fokusohen në çështjet që i bashkojnë ata.

Programi i së enjtes përfshinte sesione mbi sigurinë ushqimore, bashkëpunimin për zhvillim, terrorizmin dhe ndihmën humanitare – një reflektim i prioriteteve të Indisë ndërsa ajo mban presidencën e G20-s.

Përpara bisedimeve, një ish-diplomat indian i tha BBC-së se India do të duhet të “bëjë diçka të veçantë” për t’i bërë delegatët të anashkalojnë dallimet e tyre mbi luftën.

Diplomatët indianë punuan drejt një konsensusi për çështje më pak të diskutueshme politikisht.

Ministri i Jashtëm, Jaishankar paraqiti një përmbledhje të kryetarit të takimit, pas bisedimeve të së enjtes, që do të thotë se pjesëmarrësit nuk ishin në gjendje të arrinin një deklaratë të përbashkët.

“Kishte çështje dhe sinqerisht ata ishin të shqetësuar me konfliktin në Ukrainë. Kishte divergjenca”, tha ai duke vënë në dukje “pikëpamjet e polarizuara të disa vendeve”.

Javën e kaluar, ministrat e Financave të G20-s nuk arritën një konsensus mbi një deklaratë përmbyllëse në takimin e tyre në Bangalore, në takimin e parë ministror në prag të samitit të liderëve më vonë këtë vit.

Marrëdhëniet e tensionuara midis SHBA-së dhe Kinës, e cila ka refuzuar të kundërshtojë pushtimin e Rusisë, pritej gjithashtu të testonte aftësinë e Indisë për të krijuar një konsensus.

Ekspertët thonë se Nju Delhi ka gjithashtu detyrën delikate për të balancuar politikën e tij të paangazhuar në luftë me lutjet drejtuar kombeve të tjera për të gjetur mënyra për të punuar së bashku.

India i ka rezistuar presionit dhe ka vazhduar me strategjinë e saj për të mos kritikuar drejtpërdrejt Rusinë, e cila është furnizuesja më e madhe e armëve në Indi.

Ajo ka abstenuar rregullisht nga votimi për rezolutat e OKB-së që dënojnë luftën në Ukrainë, përfshirë një votim të mbajtur në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së javën e kaluar.

Ajo ka mbrojtur gjithashtu vendimin e saj për të rritur importet e saj të naftës nga Rusia, duke thënë se duhet të kujdeset për nevojat e më shumë se një miliard njerëzve.

Por, ajo ka folur edhe për ”rëndësinë e respektimit të sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve”, gjatë deklaratave e saj të kaluara për Ukrainën. /atsh