Kryetari Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Afrim Gashi, në Forumin e Sigurisë të organizuar nga Kongresi Amerikan në Ëashington, ka deklaruar se vendi i tij “kontribuon me disiplinë, qëndron pranë aleatëve të saj, i përmbush angazhimet dhe demonstron partneritet përmes veprave”, transmeton Anadolu.
Siç njofton zyra për media e Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Gashi në fjalën e tij tha se angazhimi i vendit të tij ndaj NATO-s është i fortë, i udhëhequr nga bindja se asnjë komb nuk mund të sigurojë veten i vetëm.
“Në një kohë me pasiguri globale, bashkëpunimi brenda NATO-s është më i rëndësishëm se kurrë, veçanërisht për vende si yni, në zemër të Ballkanit. Forcimi i institucioneve, investimi në mbrojtje dhe ndërveprimi i përbashkët janë të domosdoshme për qëndrueshmërinë tonë kolektive. Ne qëndrojmë si një aleat besnik i NATO-s dhe një partner i qëndrueshëm i SHBA-së”, tha Gashi.
Më tej, Gashi përmendi fjalët e ish-presidentëve amerikan, John F. Kennedy dhe George W. Bush për të theksuar rëndësinë e unitetit.
“Në të njëjtin frymë, Maqedonia e Veriut zgjedh përgjegjësinë mbi hezitimin dhe unitetin mbi ndarjen. Ky është premtimi ynë ndaj vlerave tona të përbashkëta, sigurisë tonë të përbashkët dhe një aleance transatlantike të fortë”, theksoi Gashi.
Gashi u adresua në Forumin e Sigurisë me temë “Investimi 5 për qind në mbrojtje deh angazhimi ndaj partneritetit me SHBA-në”. Në këtë ngjarje, ku u diskutua për sigurinë deh bashkëpunimin transatlantik, morën pjesë liderë botëror dhe përfaqësues të Kongresit Amerikan.



