Gati 250 persona të zhdukur pas tërmetit në Japoni, zbehen shpresat për të mbijetuar

Ekipet e shpëtimit në Japoni janë në kërkim të gati 250 personave që figurojnë ende të zhdukur pas tërmetit që goditi vendin në orët e para të 1 janarit.

Të enjten vonë ka përfunduar periudha prej 72 orësh që kur goditi tërmeti, që konsiderohet kritike për të gjetur të mbijetuar, shkruan BBC.

Të premten, numri i të vdekurve nga tërmeti me magnitudë 7.6 ballë në gadishullin e largët Noto u rrit në 92.

Ekipet e shpëtimit kanë dyfishuar numrin e personave që kanë marrë pjesë në operacionet e kërkim shpëtimit, në gjithsej 4600 persona, njoftoi agjencia e lajmeve Kyodo.

Shumë njerëz mendohet se janë bllokuar nën shtëpitë e tyre të rrënuara – kryesisht në qytetet Suzu dhe Wajima.

Sipas raportimeve shtëpitë nuk kanë qenë të ndërtuara për t’u bërë ballë tërmeteve të fuqishme, të cilat shpesh e godasin vendin.

Dhjetëra mijëra banorë janë ende pa energji elektrike dhe ujë, ndërsa qindra kanë mbetur të izoluar për shkak të rrëshqitjeve të dheut dhe rrugëve të bllokuara. /koha