Organizata ndërkombëtare “Save the Children” ka paralajmëruar se rreth 93 për qind e fëmijëve në Gaza – afërsisht 930,000 fëmijë – janë në rrezik të madh nga uria, sipas të dhënave të fundit nga IPC.
“Pa veprime urgjente për t’i dhënë fund rrethimit dhe për të lejuar hyrjen e ushqimit dhe barnave në Gaza, një milion fëmijë rrezikojnë të vdesin nga uria, sëmundjet dhe mungesa e ndihmës,” tha organizata.
Sipas saj, familjet në veri të Gazës janë detyruar të hanë ushqim për kafshë, miell të skaduar dhe madje edhe miell të përzier me rërë për të mbijetuar.
“E dimë çfarë është uria – kemi shijuar vdekjen,” tha një nënë 25-vjeçare me katër fëmijë. “Fëmijët tanë thjesht po presin radhën për të vdekur.”
Drejtori Rajonal i “Save the Children” për Lindjen e Mesme dhe Afrikën e Veriut, Ahmad Alhendawi, e përshkroi situatën si një “katastrofë humanitare e qëllimshme” dhe “krizë qasjeje”.
“Fëmijët po uriten me qëllim, për shkak të rrethimit total nga autoritetet izraelite,” tha ai. “Kemi ushqimin, kemi ndihmën dhe dimë si ta trajtojmë kequshqyerjen – çfarë nuk kemi është qasja.”
Ai kërkoi që bashkësia ndërkombëtare të veprojë menjëherë për të hapur kalimet dhe për të dërguar ndihmë jetësore. /mesazhi