Gaza, forcat izraelite martirizojnë dy palestinezë gjatë protestave

Dy palestinezë u martirizuan dhe dhjetëra u plagosën kur forcat izraelite sot hapën zjarr gjatë protestave të palestinezëve me rastin e “Ditës së Tokës” në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu Agency (AA).

Ministria e Shëndetësisë të Palestinës në njoftimin e saj bën të ditur se në lindje të qytetit të Gazës u vranë Nidal Saqr dhe Jihad Saad ndërsa 33 protestues të tjerë u plagosën me municion të vërtetë.

Dhjetëra mijëra palestinezë janë mbledhur sot pranë tampon zonës në mes Rripit të Gazës dhe Izraelit për të marrë pjesë në tubimin masiv, ku shënojnë përvjetorin e parë të protestave kundër pushtimit dhe shënimin e 43-vjetorit të “Ditës së Tokës”, kur në vitin 1976 u vranë gjashtë persona gjatë një demonstrate për shkak të konfiskimit të tokave arabe në Galile.

Në prag të tubimit të sotëm ushtria izraelite ka vendosur tanke të shumta dhe automjete të blinduara përgjatë zonës tampon me Rripin e Gazës.

Të enjten, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu thuhet se ka urdhëruar ushtrinë për t’u përgatitur për mundësinë e një fushate të gjerë në Rripin e Gazës.

Rreth 270 demonstrues palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite në mars të vitit të kaluar, kur palestinezët filluan protestat përgjatë zonës tampon mes Rripit të Gazës dhe Izraelit.

Demonstruesit kërkojnë mundësinë e kthimit të refugjatëve palestinezë në shtëpitë e tyre në Palestinën historike nga e cila u dëbuan në vitin 1948 për të bërë vend për shtetin e ri të Izraelit.

Gjithashtu, protestuesit kërkojnë heqjen e bllokadës 12-vjeçare të Rripit të Gazës, që shkatërroi ekonominë e enklavës bregdetare.