Gërxhaliu: Është kryer autopsia, trupi i Dacit i është dorëzuar familjes

Drejtori i Institutit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu ka konfirmuar për Periskopin se para një ore i është kryer autopsia trupit të zv/ministrit Arian Daci i cili dje tragjikisht humbi jetën teksa po skijonte në Brezovicë. ‘Trupi ka mbërri tek familja. Ka një orë që është kryer obduksioni’, ka thënë Gërxhaliu për Periskopin, pa dashur të japë detaje tjera. Arian Daci, djali i ndjerë i akademikut Nexhat Dacit vdiq dje nga një ortek në Brezovicë, i cili e zuri rreth 4 apo 5 metra nën borë. Qendra e Skijimit në Brezovicë do të mbyllet për dy ditë për shkak të rrezikut nga orteqet, ka paralajmëruar Ilir Morina, Kryeshef i Agjencisë së Mbrotjes së Mjedisit. Për të nderuar zv/ministrin Daci, sot në hollin e Kuvendit të Kosovës do të bëhen homazhe, ndërsa në ora 12:00 në Teatrin Kombëtar do të mbahet mbledhje komemorative. Përcjellja për në banesën e fundit do të bëhet në ora 13:00 në varrezat e qytetit të Prishtinës.