Giresse takohet me kreun e FFK-së

Selektori i Kosovës në futboll, Alain Giresse dhe stafi i tij janë takuar të hënën me kryetarin e Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi.

Në njoftimin e FFK-së, thuhet se në këtë takim është diskutuar rreth përgatitjeve të “Dardanëve” për dy ndeshjet e ardhshme kualifikuese për Euro 2024, që do të luhen në muajin qershor.

Palët janë shprehur të motivuara për duelet me Rumaninë e Bjellorusinë, ndërsa nuk ka munguar as besimi i tyre se do të fitohen të dyja këto ndeshje. Në këtë takim është konfirmuar edhe forma e mirë e futbollistëve të Kosovës, ndërsa nuk mungon edhe besimi i madh në potencialin e tyre.

Ky cikël eliminator është vlerësuar si tejet i rëndësishëm për futbollin kosovar dhe të gjithë së bashku janë zotuar se do të punojnë fort për ta arritur synimin, që është kualifikimi për herë të parë në Kampionatin Evropian.

Kosova deri më tani, i ka luajtur dy ndeshje në kuadër të grupit I kualifikues dhe në të dyja ka barazuar. Ka luajtur 1:1 në udhëtim me Izraelin, ndërsa me rezultatin identik ka përfunduar edhe ndeshja e zhvilluar në Prishtinë kundër Andorrës.