Gjashtë vjet burgim për dy zyrtarët e Prizrenit për rrënimin e aneksit të “Abi Qarshia”

Gjashtë vjet burgim për dy zyrtarët e Prizrenit për rrënimin e aneksit të “Abi Qarshia”

Dy ish-zyrtarë të komunës së Prizrenit janë shpallur të martën fajtorë nga Gjykata Themelore e Prizrenit për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Islam Thaqi, ish-drejtor i Inspektoratit, aktualisht asamblist nga Lëvizja Vetëvendosje në Kuvendin Komunal të Prizrenit, dhe Jetmira Vrenezi, ish-udhëheqëse e sektorit të Ndërtimtarisë, aktualisht deputete e LVV-së në Kuvendin e Kosovës janë dënuar me nga 3 vjet burgim dhe me nga 2.000 euro gjobë për rastin e rrënimit të aneksit të “ABI Çarshisë”, më 19 dhe 21 korrik 2019.

“I akuzuari I.Th, në cilësinë e Drejtorit të Inspektoratit në Komunën e Prizrenit, duke ditur se nuk kanë të drejtë të bën rrënimin e objektit pasi i dëmtuari ka aplikuar për legalizim në përputhje me vendimin e MMPH të datës 27.08.2018, jep pëlqimin, organizon dhe merr pjesë aktive në rrënimin e objektit ‘Abi’ Sh.P.K., në Prizren. E akuzuara J.V., në cilësinë e inspektores së ndërtimit duke ditur se nuk kanë të drejtë të bëjnë rrënimin e objektit të të dëmtuarit, meqë është në kundërshtim me vendimit e MMPH të datës 27.08.2018, përveç inspektimeve që kanë kryer në objektet, e akuzuara J.V., merr konkluzion mbi rrënimin e objektit ‘Abi Çarshia’ pronë e ‘Abi’ Sh.P.K., me datë 15.07.2019”, thuhet në njoftimin e gjykatës të martën.

Ndërkohë të akuzuarit e tjerë Egzona Morina-Thaçi, Arian Tarkau, Isë Bislimaj dhe Shqipron Krasniqi janë liruar nga akuzat.

Prokuroria Themelore e Prizrenit pati nisur hetimet për drejtorin e Inspeksionit në këtë komunë dhe disa inspektorë, për vendimin e tyre që të rrënojnë një pjesë të “Abi Çarshisë”, ndonëse i dëmtuarit kishte dorëzuar aplikacionin për legalizim.