Gjendet pa shenja jete një fëmijë i zhdukur në Obiliq

Një fëmijë rreth pesëvjeçar është gjetur pa shenja jete në fshatin Raskovë të Obiliqit, të premten në mbrëmje.

Siç ka bërë të ditur Policia, fëmija ishte raportuar si i zhdukur rreth orës 18:15 dhe dyshohej se kishte rënë në lumë. Trupi i tij u gjet dy orë më pas.

“Rreth orës 18:15, është pranuar informata ndërlidhur me dyshimet për rënien në lum të një fëmije rreth pesë vjeç, në fshatin Raskovë të komunës së Obiliqit. Policia menjëherë ka dalë në vendin e ngjarjes, me ç’rast ka vijuar kërkimet dhe gjurmimet në terren. Rreth orës 20:30 është raportuar për gjetjen e trupit të fëmijës, por fatkeqësisht pa shenja jete. Aktualisht po trajtohen rrethanat që karakterizojnë ngjarjen”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Për lajmin fillimisht njoftoi Shoqata e Kosovës për Kërkim dhe Shpëtim.

“Pas një alarmi të marrë për zhdukjen e një fëmije 4-vjeçar në Raskov të Komunës së Obiliqit, pjesëtarët e shoqatës u aktivizuan në kohë rekorde. Pas kërkimeve intensive së bashku me Policinë e Kosovës dhe bashkëfshatarët u bë e mundur gjetja e fëmijës 4-vjeçar, por fatkeqësisht pa shenja të jetës. Ngushëllime familjes dhe fshatit Raskov për këtë humbje të madhe”, thuhej në njoftim të kësaj shoqate.