Gjenerali turk: Do ta mbështesim Kosovën në arritjen e qëllimeve të saj strategjike

Shefi i Departamentit për Marrëdhënie me Jashtë të Ministrisë së Mbrojtjes së Turqisë, gjeneral brigade Omer Nafiz Gulmezoglu, ka thënë se Turqia do të përkrahë Kosovën në arritjen e qëllimve strategjike.

Ai në takimin që ka zhvilluar me ministrin e Mbrojtës Ejup Maqedonci, ka thënë se për Turqinë siguria në Kosovë dhe rajon është shumë e rëndësishme.

“Gjenerali Gulmezoglu e falënderoi ministrin Maqedonci për pritjen miqësore dhe vuri në dukje se Turqia gjithmonë do ta mbështesë Kosovën në arritjen e qëllimeve të saj strategjike. Gulmezoglu pohoi se Republika e Turqisë është e interesuar dhe angazhohet në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në Kosovë e në rajon dhe se kjo më së miri dëshmohet me prezencën e trupave turke në kuadër të KFOR-it”, thuhet në komunikatën e ministrisë.

Ministri Maqedonci e falënderoi gjeneralin Gulmezoglu për mbështetjen e pakursyer të Republikës së Turqisë nëpër të gjitha fazat e shtetndërtimit të Kosovës, në veçanti në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë, si dhe shprehi vullnetin e fuqishëm për vazhdimin e mëtejmë të këtij bashkëpunimi të ngushtë në mes të të dyja vendeve.