GJERMANI – Partitë politike arrijnë marrëveshjen për koalicionin e madh qeveritar

Konservatorët dhe socialdemokratët e qendrës së majtë (SPD) kanë arritur një marrëveshje për formimin e një koalicioni të ri gjerman, sipas një njoftimi.

“Kristiandemokratët e kancelares,  Angela Merkel (CDU), dhe aleatët e saj bavarezë të Unionit  Kristiansocial (CSU) dhe Partia Socialdemokrate (SPD) kanë arritur të zgjidhin mosmarrëveshjet mbi çështjet përfundimtare gjatë bisedimeve të zhvilluara sot në mëngjes”, sipas burimeve.

Negociatat për formimin e një koalicioni të ri qeveritar janë shtyrë dy herë pavarësisht afatit përfundimtar, i përcaktuar më 4 shkurt.

Gjatë bisedimeve të dielën dhe të hënën, nuk u arrit dot një marrëveshje mbi shëndetësinë, tregun e punës dhe ndarjen e portofolave ​​ministrore.

Tani, anëtarët e SPD-së duhet të votojnë nëse janë pro apo kundër marrëveshjes.

Rezultati i referendumit të partisë pritet të shpallet në fundjavën e parë të muajit mars.