Gjermani – Shërbimi sekret pret rritje të propagandës dhe spiunazhit nga Rusia

Thomas Haldenwang

Shërbimet e brendshme sekrete në Gjermani njoftuan sot se priten më shumë aktivitete propagandistike dhe spiunazhi nga Rusia gjatë muajve në vijim.

“Rusia po përdor çështjet që lidhen me furnizimin me energji në Evropë kryesisht si një presion”, tha në një deklaratë Zyra Federale për Mbrojtjen e Kushtetutës.

“Përhapja e qëllimshme e informacionit të rremë, për shembull për furnizimet me gaz dhe rritjet e çmimeve, ishte një përpjekje për të nxitur frikën në Gjermani për mungesën e energjisë dhe ushqimit që mund të kërcënonte ekzistencën e vendit”, tha zyra.

“Propaganda ruse ka të ngjarë të përhapet brenda qarqeve ekstremiste dhe të nxisë narrativat konspirative me qëllimin për të shkaktuar zemërim në shoqërinë tonë”, sipas deklaratës.

“Shteti rus pritet gjithashtu të intensifikojë dhe përshtatë më tej përpjekjet e tij politike dhe ushtarake të zbulimit”, tha zyra.

Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës, si dhe efektet e saj në ekonomi, janë tema të pjekura për instrumentalizim nga ekstremistët politikë, tha zyra.

Por, kreu i Zyrës Federale Gjermane për Mbrojtjen e Kushtetutës, Thomas Haldenwang theksoi se deri më tani nuk ka patur asnjë shenjë të protestave të përhapura antishtetërore apo edhe trazirave masive të dhunshme. /atsh