Gjermania dhe Republika Çeke premtojnë më shumë ndihmë për Ukrainën

German Minister of Foreign Affairs Annalena Baerbock, left, and her Czech counterpart Jan Lipavsky speak during a press conference, Tuesday, July 26, 2022, Prague, Czech Republic. (Sulova Katerina/CTK via AP) SLOVAKIA OUT

Ministrat e Jashtëm të Gjermanisë dhe Republikës Çeke u zotuan të ofrojnë ndihmë të mëtejshme për mbrojtjen e Ukrainës në luftën e saj kundër pushtimit rus, gjatë një takimi përgjatë kufirit gjermano-çek.

Ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavský e përshkroi pushtimin rus si një akt të agresionit të paprecedentë perandorak rus, dhe e quajti Rusinë kërcënimin më të madh për sigurinë në Evropë.

“Republika Çeke do të qëndrojë me Ukrainën derisa të zhduket tanku i fundit rus”, tha Lipavský në takimin e zhvilluar në kufirin midis qyteteve Bärenstein, Gjermani dhe Vejprty, Republika Çeke.

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock theksoi se aleatët e NATO-s kishin rënë dakord në samitin e aleancës, në Vilnius për të rritur mbështetjen ushtarake për mbrojtjen e Ukrainës.

Kancelari gjerman, Olaf Scholz premtoi 700 milionë euro të tjera (785 milionë dollarë) per Ukrainën gjatë samitit.

“Jo vetëm Evropa, por shumica e botës qëndron në anën e Ukrainës kundër agresionit rus”, tha Baerbock.

Ajo tha se bashkëpunimi evropian në dërgimin e armëve mbron jetët e njerëzve, ndërsa vlerësoi Republikën Çeke për përpjekjet e saj për të ndihmuar Ukrainën, duke përfshirë pranimin e më shumë se 500 000 refugjatëve ukrainas dhe duke qenë vendi i parë që dërgoi armë të rënda.

Baerbock tha se agresioni i Rusisë ka treguar se Evropa tani është më e fortë dhe më e bashkuar se kurrë më parë.

Lipavský e përshkroi anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian si garanci për paqen në Evropë dhe shprehu besimin se këto institucione do të jenë të hapura ndaj Ukrainës dhe Moldavisë, dhe do të integrojnë edhe Ballkanin Perëndimor. /atsh