Gjermania tha të hënën se ështlë “e shqetësuar” për sulmet e fundit ajrore izraelite në Gaza të cilat kanë vrarë të paktën 37 palestinezë gjatë fundjavës, transmeton Anadolu.
“Ne i vërejmë këto incidente me shqetësim herë pas here. Ato tregojnë se situata në Gaza mbetet e brishtë, jo vetëm për shkak të sulmit të së shtunës”, u tha zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme, Martin Giese, gazetarëve në Berlin.
“Për qeverinë gjermane, është thelbësore që palët t’u përmbahen angazhimeve që kanë ndërmarrë si pjesë e planit 20-pikësh”, shtoi ai.
Mbrojtja Civile në Gaza tha në deklaratën e saj të fundit se sulmet izraelite në Rrip që nga agimi i së shtunës kanë vrarë 32 palestinezë, përfshirë fëmijë dhe gra.
Pesë palestinezë të tjerë, tre fëmijë dhe dy gra, u vranë dhe disa të tjerë u plagosën në një sulm ajror izraelit që goditi një apartament banimi në lagjen Rimal të qytetit perëndimor të Gazës, thanë burime mjekësore për Anadolu.
Që kur armëpushimi hyri në fuqi në fillim të tetorit, veprimet izraelite kanë vrarë 524 palestinezë dhe kanë plagosur 1.360 të tjerë, duke kryer 1.450 shkelje, sipas zyrës së medias së qeverisë së Gazës të shtunën.





