Gjermania ndihmon bujqit e Kosovës me 6.5 milionë euro, përparësi gratë dhe të rinjtë

Bujku Halim Hashani, i cili merret me kultivimin e misrit, mirëpret marrëveshjen e Ministrisë së Financave dhe Ambasadës Gjermane për rritjen e fondit për Krijimin e Vendeve të Punës në Sektorin e Bujqësisë.

Ai është optimist se kësaj radhe nuk do të keqpërdoren fondet dhe se grantet për bujqit do t’u jepen më meritorëve e jo vetëm personave që kanë lidhje me anëtarët e komisioneve që i shpërndajnë këto fonde, raporton KTV.

Marrëveshja e nënshkruar mes Qeverisë së Kosovës dhe asaj të Gjermanisë kap vlerën prej 6.5 milionë eurosh.

Qeveria gjermane e ka dhuruar këtë grant për “Shërbime financiare për krijimin e vendeve të punës në sektorin e bujqësisë – Fondi për Garantimin e Kredive III”.

Ambasadori gjerman në Kosovë, Christian Heldt, theksoi se për rritjen e qëndrueshme ekonomike, sektori financiar është shtylla më e rëndësishme, andaj po e ndihmojnë Kosovën në këtë aspekt.

Kjo nuk është hera e parë që shteti gjerman e mbështet Kosovën me grante në fusha të ndryshme për zhvillimin e ekonomisë së vendit.